Berisha, akuza grevistëve: Ata janë bllokqenër

Berisha - Ramës: Të puthet tre ditë me Ramiz Alinë, por qytetarët të mos i lëndojë
TIRANË - Kryeministri Sali Berisha ka ashpërsuar gjuhën e tij politike ndaj protestuesve dhe 200 grevistëve të majtë që janë vendosur prej 13 ditësh në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", duke lëshuar në drejtim të tyre një sërë akuzash e fyerjesh.
Gjatë inaugurimit në Kamëz të disa veprave publike, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se përfaqësuesit e majtë janë duke gabuar në aksionin e tyre politik, për të hapur kutitë e votimit, ndërsa i cilësoi ata si "bllokqenë".
Ai nënvizoi se pavarësisht se çfarë ndodh në kampin opozitar, të djathtët do të ecin drejt integrimit europian. "Siç e dini, bulevardi kryesor i kombit prej 13 ditësh është i bllokuar nga një grevë urie.
Jam këtu për t'u angazhuar edhe një herë, se do të respektoj çdo të drejtë kushtetuese të qytetarëve shqiptarë, se qytetarët e këtij vendi do të kenë të garantuar lirinë e të drejtën e protestës paqësore. Por, më duhet t'i them Ramiz Alisë dhe bllokqenëve të tjerë, të mos u qeshë buza, se jeni gabim, jeni gabim rëndë.
Prandaj, keni bërë, ç'keni bërë me njëri-tjetrin, keni vrarë dhe eliminuar njëri-tjetrin, ne, demokratët, jemi të përcaktuar të ecim drejt Europës", - tha dje Berisha. Kryeministri i është drejtuar konkretisht edhe kreut të opozitës, Edi Rama, duke i kërkuar këtij të fundit që të mos nxjerrë me forcë në rrugë qytetarët shqiptarë për të protestuar në emër të opozitës. Sipas Berishës, askush nuk duhet që të lëndojë qytetarët, duke i nxjerrë në rrugë apo duke u dalë përpara gjatë protestave.
"Ndërsa, zotit Edi Rama i kërkoj këtu, duke i respektuar plotësisht protestën, të mos tentojë të mundojë qytetarët e Shqipërisë, duke u dalë përpara rrugëve. Të puthet tre herë në ditë me Ramiz Alinë, por qytetarët të mos i lëndojë, sepse ky është rregulli.
Rrugët janë të publikut, janë të qytetarëve, janë të atyre që transportojnë, janë të të sëmurëve dhe të të shëndoshëve, të halleve dhe problemeve, të urgjencave dhe askush nuk mund të mendojë se do të mund të ndëshkojë qytetarët shqiptarë, duke u dalë përpara në rrugë", - u shpreh ai. Kryeministri Sali Berisha gjatë këtyre ditëve ka ndërmarrë një fushatë kundër aksionit politik të opozitës, duke mos dhënë asnjë ofertë për zgjidhjen e krizës.
Ai e ka quajtur grevën e urisë si të paligjshme dhe për më tepër, sipas tij, kriza politike ekziston vetëm në mendjet e përfaqësuesve të së majtës dhe se Shqipëria nuk po përjeton një krizë politike. Ndërsa e ka cilësuar grevën e urisë dhe protestat e opozitës si një luftë me mullinjtë e erës dhe, sipas tij, iniciativa e tyre politike është një rrugë pa krye. "Rruga e Shqipërisë për në Europë është absolutisht e pandalshme.
Betejat me mullinjtë e erës janë beteja që shqiptarët i lexojnë dhe do t'i lexojnë tek "Don Kishoti" i Servantesit. Asgjë nuk mund të pengojë ecjen drejt atij objektivi madhor që kanë shqiptarët; integrimi në Bashkimin Europian", - tha Berisha,
dy ditë më parë.