Shpërndarësi kapet me 1.7 kg hashash
TIRANE Një sasi prej 1.7 kilogramësh drogë u bllokua gjatë një operacioni të kryer nga policia e kryeqytetit. Burimet policore thanë se është arrestuar në afërsi të zonës së Xhamllikut në Tiranë, 28-vjeçari Kastriot Likaj, të cilit i është sekuestruar në makinën e tij tip Audi 80, sasia prej 1.7 kilogramësh bimë narkotike Cannabis sativa, e ndarë në disa pako, gati për shitje. Policia shpjegoi dje zyrtarisht se arrestimi i tij u realizuar pas një hetimi disa javor, duke aplikuar metodat speciale të hetimit, derisa u zbulua vendndodhja e tij, në afërsi të Xhamllikut në Tiranë. Burimet sqaruan se gjatë ecurisë së hetimit në ngarkim të Kastriot Likajt për shpërndarjen e lëndës narkotike në Tiranë dhe shtrirjen e aplikimit të metodave speciale të hetimit, u zbulua linja e shpërndarjes së bimës narkotike, kryesisht në zonën e Xhamllikut, te Bërryli, në Kinostudio, Babrru, Allias, Shkolla e Bashkuar, si dhe në zona të tjera në kryeqytet. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua sasia 1 kg 700 gramë bimë narkotike Cannabis sativa, një automjet tip Audi 80 me targë TR 6015 I, si dhe një sasi e konsiderueshme parash.