E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, bllokohen 4 kg drogë dhe 25 mijë euro

SHKODER Një person i moshës 56 vjeç u arrestua dje nga policia e Shkodrës me 4 kg drogë dhe me një sasi të konsiderueshme monetare me vete. Burimet nga policia lokale kanë thënë se shtetasi 56-vjeçar Kolë Nika u arrestua pasi nga kontrolli i kryer atij iu gjetën 4 kg e 124 gramë lëndë narkotike Cannabis sativa. Arrestimi mësohet se është kryer nga shërbimet policore pasdreken e ditës së djeshme. Burimet zyrtare thanë se policia ka vënë në pranga 56-vjeçarin Kolë Nika, lindur në fshatin Gushtë të komunës Temal dhe banues në lagjen Tre heronjtë të qytetit të Shkodrës. Tashmë ndaj të arrestuarit Kolë Nika rëndon akuza e prodhimit dhe mbajtjes se narkotikeve. Në momentin e arrestimit policia arriti të sekuestrojë edhe 25 000 euro, 22 000 lekë, 5 aparate celularë të markave të ndryshme, të cilat 56-vjeçari i mbante me vete në momentin e ndalimit.
Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë, rreth orës 16:00, në zonën e njohur si Kryqëzimi te Bushati. Shërbimet policore të Antidrogës në Drejtorinë e Policisë së qarkut Shkodër, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Shkodër,  ishin vënë në dijeni të transportit të lëndës narkotike që bënte 56-vjeçari Nika. Për këtë, ata, sapo kanë dalluar automjetin tip Benz me targë SH 82 34, që po lëvizte në aksin rrugor Vau i Dejës-Kryebushat, i kanë bërë shenjë që të ndalojë. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e Nikës kanë  gjetur dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 4 kg e 124 gramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis sativa. Gjithashtu atij i janë gjetur dhe sekuestruar edhe 25 000 euro, 22 000 lekë, 5 aparate celularë të markave të ndryshme. Hetimet në lidhje me këtë ngjarje vazhdojnë për të mësuar se cili ishte destinacioni i mallit dhe për të zbardhur të gjithë emrat e personave që janë përfshirë në këtë trafik. Nga sektori kundër narkotikeve janë kryer veprimet e duhura procedurale dhe Kolë Nika do të hetohet për  prodhim dhe mbajtje të narkotikeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›