E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë-Durrës, 4 grabitje në natë

Dy vëllezër akuzohen se kanë kryer katër grabitje me armë brenda natës në Tiranë dhe Durrës.Njëri prej tyre u arrestua mëngjesin e djeshëm, në afërsi të Kombinatit, ndërsa tjetri u shpall në kërkim. Ngjarjet për të cilat ata akuzohen, sipas policisë, kanë ndodhur në Kombinat, gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm. Dy vëllezërit mësohet se kanë grabitur dy banesa dhe disa orë më vonë kanë grabitur edhe dy automjete, një në Durrës dhe një tjetër në Rrugën e Kavajës në Tiranë. Sipas burimeve nga policia, forcat e rendit të Komisariatit Nr. 6 kanë arrestuar në flagrancë, në afërsi të një gomisterie në Kombinat, 24-vjeçarin Nuredin Dumani, i cili ndodhej në makinën që e kishte vjedhur te Rruga e Kavajës, një Benz, me targë TR 6406 N. Ndërkohë, vëllai i tij, Fitim Dumani, 23 vjeç, i identifikuar si bashkëpunëtor në grabitje, është shpallur në kërkim dhe policia tha se po punohet për kapjen e tij. Burimet sqaruan se dy autorët kanë realizuar katër grabitje brenda natës, duke përdorur një armë pistoletë Ekol Special 99, të kalibrit 7.65 mm, si dhe maska. Nga verifikimet e kryera nga grupi hetimor, pas kallëzimeve që kanë bërë të dëmtuarit, rezulton se rreth orës 02:00 të ditës së djeshme kanë grabitur banesën e shtetasit Theodhori Bakiu dhe kanë marrë orendi të ndryshme shtëpiake. Pak më vonë, rreth orës 03:30, ata kanë vjedhur me armë banesën e Feleke Lushës, ku gjithashtu kanë marrë orendi shtëpiake. Të dyja banesat e grabitura ndodhen në lagjen Kombinat të Tiranës. Nga hetimet e kryera, pas arrestimit të njërit prej autorëve, Nuredin Dumanit, ka rezultuar se i dyshuari, bashkë me të vëllanë, i dënuar më parë për dezertim, përveç vjedhjes me armë të dy banesave në Kombinat, gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm kanë kryer edhe dy grabitje të tjera. Sipas burimeve, ata dyshohet se kanë realizuar vjedhjen e automjetit tip Opel Kadet, me targë DR 0805 B, në qytetin e Durrësit e më pas kanë vjedhur edhe automjetin tip Benz, me targë TR 6406 N, në kryeqytet. Policia ka mundur ti sekuestrojë në cilësinë e provës materiale të dyja makinat e grabitura, një armë zjarri pistoletë e kalibrit 7.65 mm, e markës Ekol Special 99, me krehër me fishekë, si dhe një celular. Materialet në ngarkim të tyre i kanë kaluar prokurorisë, me akuzën vjedhje me armë e kryer në bashkëpunim, ndërsa ka nisur krahasimi i gjurmëve të të arrestuarit për të verifikuar nëse ka kryer vjedhje të tjera me armë që kanë ndodhur ditët e fundit në Tiranë.

GRABITJET

1. Grabitjen me armë të banesës së Theodhori B., në lagjen Kombinat, në Tiranë

2. Grabitjen me armë të banesës së Feleke L., në lagjen Kombinat, në Tiranë

3. Vjedhjen e automjetit tip Opel Kadet, me targë DR 0805 B, në Durrës

4. Vjedhjen e automjetit tip Benz,
me targë TR 6406 N, në Tiranë

Bashkëpunimi, në kërkim vëllai i grabitësit

Pas arrestimit të njërit prej autorëve në katër grabitje të ndodhura brenda natës duke gdhirë dita e djeshme, policia e Tiranës ka mundur të identifikojë edhe bashkëpunëtorin e tij. Sipas burimeve, dyshohet se bashkëpunëtor i të arrestuarit Nuredin Dumani është i vëllai, Fitim Dumani, i cili është identifikuar nga gjurmët e gishtave që janë fiksuar në dy automjetet që ata kishin vjedhur, të cilat u sekuestruan dje nga policia. Pas verifikimit të gjurmëve të personit tjetër ka rezultuar se Fitim Dumani ka qenë i proceduar edhe më parë nga policia dhe nuk ka qenë i vështirë identifikimi i tij, edhe pse i vëllai ka tentuar disa herë ta përjashtojë nga ngjarjet, duke pretenduar se i kishte kryer të gjitha grabitjet vetëm.

ETLEVA DELIA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›