Gjykata, 3.3 vjet burg Alban Rexhës
Gjykata e Tiranës dënoi dje me 3 vjet e 3 muaj burg Alban Rexhën, ish-futbollistin dhe njëherësh personazhin e shumëpërfolur të programit televiziv Kafazi i Artë.Me burg 5 vjet e 3 muaj në total u dënuan edhe tre të bashkëpandehurit e tjerë, E. Gega, Pajtim Serjani dhe Samet Mejdani. Katër të rinjtë u deklaruan fajtorë nga Gjykata e kryeqytetit në lidhje me ngjarjen e 29 dhjetorit 2009, në rrugën Irfan Tomini në Tiranë, kur ata nuk iu bindën shenjës stop të një patrulle policie, si edhe qëlluan me armë zjarri në ajër. Vendimi në fjalë është shpallur në Gjykatën e Tiranës nga gjyqtari Gerd Hoxha, i cili ishte gjyqtari që kryesoi gjykimin e të pandehurve të kësaj dosjeje. Sipas vendimit, Alban Rexha u dënua me 3 vjet e 3 muaj burg; E. Gega dhe Pajtim Serjani me nga 1 vit burg edhe Samet Mejdani me 3 vjet e 3 muaj heqje lirie. Akuzat, për të cilat ata u gjykuan në Gjykatën e Tiranës, ishin ato të prishjes së qetësisë publike, mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik, në bashkëpunim dhe mbajtje dhe prodhim pa leje të armëve luftarake. Aktualisht, të gjithë të pandehurit e kësaj dosjeje janë në masa sigurie më të lehta se ajo e arrestit me burg. Nga kjo masë shtrënguese ata u liruan në 10 qershor të vitit të kaluar. Në këtë mënyrë, të pandehurit e kësaj dosjeje do të prangosen vetëm nëse një dënim i tyre me burg merr formë të prerë në Gjykatën e Apelit.
NGJARJA
Ngjarja për të cilën Alban Rexha u përball me drejtësinë u shënuar mbrëmjen e 29 dhjetorit 2009 në zonën e Selitës në Tiranë. Sipas Policisë, katër persona iu përgjigjën me breshëri armësh automatike shenjës për ndalesë nga një patrullë police. Pak orë pas ngjarjes, si autorë të dyshuar të saj u arrestuan Pajtim Serjani, 26 vjeç, Shamet Mejdani, 21 vjeç dhe E. Gega, 24 vjeç. Ndërkohë që Rexha u identifikua nga policia si i dyshuari i katërt në ngjarje. Zyrtarisht, pas ngjarjes, Policia e kryeqytetit pohoi se të pandehurit kishin qëlluar me armë kundër punonjësve të policisë. Ky fakt u kundërshtua më pas nga të pandehurit. Gjatë caktimit të masës së sigurisë ndaj tij, pas ndalimit, Rexha pranoi të kishte qëlluar me armë, por në ajër, dhe jo drejt punonjësve të policisë.
DORËZIMI
Pas identifikimit si pjesëmarrës në ngjarje, Alban Rexha u shpall në kërkim nga Policia e Tiranës. Paraditen e 26 shkurtit 2010, ai u paraqit në ambientet e Prokurorisë për Krimet e Rënda, në shoqërinë e avokatëve të tij. Më parë avokatët e tij kishin vënë në dijeni prokurorin e çështjes. Sipas pretendimeve të mbrojtësve, Rexha kishte shkuar aty për tu vetëdorëzuar në ndihmë të hetimit ndaj tij. Për shkak se Gjykata dhe Prokuroria për Krimet e Rënda kanë ambiente të përbashkëta, Rexha u fut më parë në Gjykatë. Për një farë kohë ai u fut në një seancë tjetër gjyqësore, vetëm për të qenë nën shoqërinë e avokateve të tij. Por në mbarim të kësaj seancë, ai u përball me punonjës civilë policie që i vunë prangat.
DENIMET
Alban Rexha 3 vjet e 3 muaj burg
Enea Gega 1 vit burg
Pajtim Serjani 1 vit burg
Samet Mejdani 3 vjet e 3 muaj burg
Kompetenca
Dosja në ngarkim të Rexhës dhe tre të bashkëpandehurve të tij u hetua fillimisht nga Prokuroria për Krimet e Rënda për veprën penale të vrasjes në rrethana cilësuese, mbetur në tentativë. Në vijim Apeli i Krimeve ndryshoi kualifikimin e veprës në kundërshtim të punonjësit të policisë së rendit publik. Për këtë shkak, më 4 maj 2010, Prokuroria për Krimet e Rënda shpalli moskompetencë për hetimin e kësaj dosjeje. Dosja u transferua më pas në Prokurorinë e Tiranës, e cila ndoqi hetimet dhe e dorëzoi për gjykim.
ARMAND BAJRAMI