Shpërndarja e mandateve për subjektet zgjedhore
Në Kodin e ri Zgjedhor parashikohet edhe mënyra se si do të shpërndahen mandatet fituese për subjektet zgjedhore. Në zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, në Kuvend do të përfaqësohen
partitë politike që marrin një rezultat mbi 3% të votave, si dhe koalicionet që marrin një rezultat mbi 5% të votave. Është parashikuar që mandatet për deputetë të përftohen nga numri i votave në nivel zone zgjedhore të secilit subjekt zgjedhor pjesëtuar me numrin e kandidatëve për deputetë që përmban lista e subjektit zgjedhor në nivel zone zgjedhore. Sipas Kodit të ri Zgjedhor, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore jo më vonë se tri ditë pas përfundimit të procesit të ankimimit kundër vendimit për rezultatin e zonës zgjedhore. “KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore mbi bazën e numrit të votave të vlefshme që subjektet kanë marrë në nivel zone zgjedhore. Për zgjedhjet në Kuvend përjashtohen nga shpërndarja e mandateve partitë politike që kanë marrë më pak se 3% dhe koalicionet që kanë marrë më pak se 5% të votave të vlefshme në zonën zgjedhore përkatëse”, - parashikohet në Kodin e ri Zgjedhor. Në Kod parashikohet që numri i votave të vlefshme në nivel zone zgjedhore të secilit subjekt zgjedhor (parti, ose koalicion) pjesëtohet në mënyrë të vazhdueshme me numra natyrorë, duke filluar me numrin 1 dhe duke përfunduar me numrin që i korrespondon numrit të mandateve që shpërndahen në qarkun përkatës. Në rast se herësi që përftohet nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt. Herësit e përftuar nga çdo pjesëtim renditen në listë nga herësi më i madh tek ai më i vogli duke renditur përkrah tyre subjektin që i përket herësi përkatës. Renditja vazhdon derisa të renditen aq herës sa është numri i mandateve që shpërndahen në qarkun përkatës. Një subjekt zgjedhor përfton një numër mandatesh të barabartë me numrin e herësve të përfshirë në listën e përcaktuar. Në rast se për vendin e fundit në listën e përcaktuar rezultojnë dy apo më shumë subjekte me të njëjtin herës, mandati i jepet atij subjekti që ka numrin më të madh të votave dhe nëse ato kanë numër të barabartë votash, atëherë përcaktohet me short midis atyre subjekteve nga KQZ-ja.
22 Nentor 2008