E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Shkodrës: Dobjani pengoi hetimet për një vrasje

Një ditë pasi Avokati i Popullit denoncoi dhunën e ushtruar
nga dy oficerë të policisë të Komisariatit Shkodrës ndaj një
20-vjeçari, ka reaguar Drejtoria e Policisë Shkodër, që e ka cilësuar
si të padrejtë qëndrimin e Avokatit të Popullit, që, sipas policisë,
me ndërhyrjen arbitrare dhe
presionin ndaj oficerëve të policisë që
bëri në ambientet e policisë, ndikoi
drejtpërdrejt në mos dokumentimin
ligjor të një vrasjeje të ndodhur në
vitin 1997, për të cilën ishte duke u
pyetur, sipas të gjitha rregullave, një
person që kishte dijeni për ngjarjen.
Sipas policisë së Shkodrës, nga Sektori
i Luftës Kundër Krimeve të Rënda, në
bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit
Gjyqësor Shkodër, më datë 10 shtator
2008 është bërë i mundur rifillimi i hetimeve për çështjen
penale Nr. 53, e cila bën fjalë për vrasjen e një shtetasi dhe plagosjen
e katër të tjerëve, për motive gjakmarrjeje, ngjarje e
ndodhur më 1 gusht 1997, në lagjen "Liria" të qytetit të Shkodrës.
Më tej, policia e Shkodrës sqaron se në zbatim të detyrave
të deleguara nga Prokuroria, më 21 nëntor 2008, rreth orës 07:00
janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut
Shkodër dhe janë thirrur për t‘u marrë në pyetje disa shtetas, të
cilët kanë dijeni për ngjarjen. Në një komunikatë për shtyp të
policisë së Shkodrës, thuhet se "gjatë kohës që po vazhdonte
pyetja e personave të shoqëruar, Avokati i Popullit, z.Ermir Dobjani,
me disa komisionerë të këtij institucioni, ka ndërhyrë në
mënyre arbitrare në zyrat e Policisë Gjyqësore, duke përdorur
arrogancë dhe duke ushtruar presion ndaj oficerëve, veprim ky
i cili ka ndikuar direkt në mos dokumentimin ligjor të kësaj vepre".
Më tej në komunikatë sqarohet se zoti Dobjani, së bashku
me komisionerët e tij ka marrë në pyetje personat e shoqëruar,
në lidhje me trajtimin e tyre para, gjatë dhe pas shoqërimit.
Sakaq, shtetasi E.A., ka ngritur pretendimin se është goditur me
shpullë në ambientet e policisë nga disa oficerë policie. Ky pretendim
mohohet kategorikisht nga ana e oficerëve të policisë.
Ndërkohë Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e
Policisë së Qarkut, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit
po hetojnë për verifikimin e pretendimeve të qytetarit në fjalë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›