E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthen Besa, blen goleadorin Sinani

Vioresin Sinani është zyrtarisht sulmuesi i ri i Besës së Kavajës, duke qenë blerja e parë dimërore e klubit të presidentit Bizhdili, aktualisht në vendin e dytë të Kategorisë Superiore, 30 pikë, 12 më pak se Dinamoja kryesuese, por kavajasit kanë një ndeshje më pak atë më Skënderbeun, të shtyrë për shkak të gjendjes së terrenit në Korçë e të programuar për, më 20 janar 2010. Në formulën e kalimit të 3-herë golashënuesit më të mirë të Shqipërisë nga Vllaznia te kavajasit është përfshirë edhe mbrojtësi kosovar Liridon Leci, që në pjesën e dytë të sezonit do të luajë për ngjyrat shkodrane. Në karrierën shqiptare të Viroesin Sinanit (1 gol këtë sezon me Vllazninë), përveç klubit shkodran është edhe Tirana, me të cilën Viori fitoi kampionatin e sezonit 2006-2007 dhe “këpucën e artë”, si golashënuesi më i mirë i atij edicioni. Besa, në fakt ka vuajtur jo pak për të gjetur golin, për më tepër që ka pasur një sulmues të mirëfilltë, Daniel Xhafajn, i cili nuk ka rezultuar shumë produktiv: 5 gola në 17 javët e para. Besa e Shpëtim Duros, edhe pse ka parë një paraqitje solide në Superligë nuk kanë qenë efikas në shënimin e golave: 15 gola, sulmi i tretë më i dobët i kampionatit. Besa është në pritje edhe të nënshkrimit me të Bledi Shkëmbit, gjithmonë nëse kapiteni i Skënderbeut do të arrijë të marrë lejë-kalimin nga skuadra korçare. Ndeshja e parë e Besës (vendi i dytë, 30 pikë) për vitin 2010 është ajo kundër Flamurtarit (vendi i 11-të, 15 pikë). Në fazën e parë Besa fitoi 1-0.

Flamurtari
Ende në provë Djuriç dhe Tasunoviç

Dy futbollistët boshnjakë, Djuriç dhe Tasunoviç, vazhdojnë të jenë në provë te Flamurtari, pasi ende për ta nuk është marrë ndonjë vendim përfundimtar nga klubi vlonjat, pasi do të provohen në një ndeshje miqësore Flamurtari është duke kryer fazën përgatitore ne Mecigorje të Bosnjë-Hercegovinës. Flamurtari ka blerë Elton Gramin, Gerhard Prognin dhe kroatin Puljiz.

Rustemi: “Ja pse ika nga Vllaznia”

Mbrojtësi kosovar: “Nuk më paguan rrogat e dy muajve”

Mbrojtësi kosovar me banim në Gjermani, Blerim Rustemi, i larguar së fundi nga Vllaznia, tha për Albania-sport, se vendosi për të mos qenë pjesë e klubit shkodran për arsye financiare. Sipas tij, ai nuk është paguar për muajin nëntor dhe dhjetor, ndërkohë që theksoi se në dy rastet që ka ikur në Gjermani ka marrë lejë nga klubi. “Gjithsesi, - shtoi ish-mbrojtësi i Kombëtares, Rustemi, - kam respekt për Vllazninë dhe tifozerinë e saj”. Rustemi u testua gjatë verës së kaluar te Vllaznia, por nuk mori pëlqimin e ish-trajnerit Hasan Lika, ndërkohë që u rikthye në Shkodër pas këmbënguljes së ish-trajnerit tjetër, Roland Luçi. Ish-mbrojtësit i Alki Larnaka në Qipro u aktivizua 10 ndeshje në pjesën e parë të sezonit. Mesa duket Rustemi me një të kaluar sportive në Gjermani, Brazil, Kanada dhe Qipro, nuk ishte në planet e trajnerit të ri të 9-herë kampionëve të Shqipërisë, Edi Martini.
Futbollisti kosovar Fitim Kasapi nuk do të jetë më pjesë e Vllaznisë, duke prishur me mirëkuptim marrëveshjen me klubin verior, pasi nuk ishte më në planet e trajnerit të ri Edi Martini (i treti sezonal). Mesfushori 26-vjeçar u aktivizua vetëm 6 nga 17 ndeshjet e pjesës së parë të sezonit, ku arriti të shënojë edhe një gol. Nga skuadra e presidentit Valtet Fushaj në përfundim të pjesës së parë të sezonit janë larguar shtatë lojtarë: Erion Rizvanolli, Albi Llënga, Leandro, Elvin Beqiri, Ardit Beqiri, Blerim Rustemi dhe së fundi Fitim Kasapi. Vllaznia po punon me ritme të shpejta në merkaton dimërore. Pas konfirmimit të Elvis Krajës dhe Amarildo Belishës, klubi shkodran po teston disa lojtarë malazezë e serbë. Më provë janë portieri Aleksandër Bozhoviç (24 vjeç), mesfushori Goran Miroviç (27 vjeç) dhe mbrojtësi Aleksandër Sreçkovbiç (27 vjeç, ish-lojtar i Apolonisë). Vllaznia është duke u përgatitur në Malin e Zi.

Ramadani: E mbroj unë Krujën

Mbrojtësi Zekerija Ramadani e ka braktisur skuadrën e Shkëndijës nga Tetova dhe ka kaluar në ekipin e “Kastriotit” nga Kruja, skuadër e Super Ligës së Shqipërisë. “Kemi rënë dakord me drejtuesit e klubit të “Kastriotit” që në këto pesë muaj të luaj për ata. Të premten u nisa për në Shqipëri për t’iu bashkuar skuadrës nga Kruja në përgatitjet për sezonin pranveror. Jam shumë i kënaqur që po kthehem sërish në kampionatin e futbollit shqiptar, sepse aty kam kaluar mjaftë mirë”, - është shprehur “Zeka” në bisedën telefonike për “Lajm”, gjatë udhëtimit për në Shqipëri. Të kujtojmë se Ramadani edhe më herët ishte pjesë e Super Ligës shqiptare, duke luajtur me sukses për Besën e Kavajës, për të cilën luanin edhe dy lojtarët tjerë nga Maqedonia, portieri Suat Zendeli dhe mesfushori Arben Nuhiu. “Zeka” gjatë stinorit vjeshtor mbrojti ngjyrat e Shkëndijës nga Tetova me të cilën skuadër e fitoi titullin e kampionit të dimrit. Skuadra e re e Ramadanit, “Kastrioti” nga Kruja në pjesën e parë te sezonit vjeshtor ka përfunduar në vendin e tetë të renditjes tabelore, duke grumbulluar 19 pikë. Në ekipin e “Kastriotit” ai do ta gjej lojtarin nga Maqedonia, Pllumb Jusufi.

9 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›