E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trajneri i Maincit, Tuchel: “Hyka, ti vlen!”

Start si titullar, dy asistë dhe 55 minuta të bukura për Jahmir Hykën në miqësoren e fituar 5-1 nga Mainc 05 kundër Fortuna Dyseldorfit, e detyruar të mendohet trajnerin Tomas Tuchel, ky i fundit është shprehur në mediat gjermane me superlativa për interpretimin e mesfushorit shtatshkurtër shqiptar. Hyka ishte në një ditë shumë të mirë, dyluftoi ndaj kundërshtarëve, vrapoi shumë dhe pati një temp të lartë edhe në driblime, madje arriti të driblojë edhe portierin Melka, kur dha pasimin e golit të tretë të realizuar nga Banse. “Trajnerit të Maincit i bëri shumë përshtypje loja Jahmir Hykës në krahun e majtë të mesfushës, ku ai edhe përgatiti dy gola”, - shkruhej në faqen gjermane në internet Viesbadener-kurier.de . “Por, - thekson Tucher, - unë nuk dëshiroj ta lavdëroj shumë. Ajo që ai tregoi sot (gjatë ndeshjes së të enjtes) ishte shumë e mirë, por ne presim ta tregojë këtë në çdo ndeshje. Ai duhet të japë më të mirën në zonën e preferuar të tij dhe ai vetë të ketë pretendime më të larta. Gjithsesi, ai na vërtetoi se vlen. Sot bëri një hap të parë shumë të mirë, por pas vetëm 50 minutash nuk dëshirojmë që lëvdojmë shumë”. Hyka në minutën e 55-të pati një dëmtim dhe u zëvendësua nga trajneri. “Nuk është asgjë serioze”, - deklaroi menaxheri i skuadrës, Aleks Shuster.

Katania “çon” Bogdanin te Sampdoria

Katania vazhdon të këmbëngulë për të marrë sulmuesin shqiptar Erjon Bogdanin, edhe pse 32-vjeçar luajti ndeshjen e parë të vitit 2010 me Kievon në humbjen 0-1 me Interin. Sipas gazetës sportive italiane “Corriere dello Sport”, drejtori i përgjithshëm i Katanias, Lo Monako, ka një paramarrëveshje me Bogdanin, por ende nuk ka një të tillë me Kievon. Klubi veronez, në fakt, nuk po nxiton të rinovojë kontratën me Erjonin, dhe ndoshta do të synojë të përfitojë financiarisht, pasi kontrata e Bogdanit skadon në fund të sezonit, ku dhe mund ta humbiste në parametra zero, kur përkundrazi mund të përfitonte nga shitja e tij.
Gjithsesi, gazeta italiane thekson, se Katania nuk do të bëjë çmenduri të paguajë një shumë të madhe për Bogdanin, por një nga hipotezat interesante të hedhura, është se shqiptari mund të shërbejë si pedanë shkëmbimi me destinacion Sampdorian, që Katania të ketë mundësi të marrë 23-vjeçarin Nikola Poci, të huazuar te Sampdoria përmes Empolit.

Vata, 38-vjeçari jep asist

Fatmir Vata vazhdon të çudisë. Sulmuesi 38-vjeçar shqiptar dha pasin e golit të shënuar nga Teodosiadis në humbjen 2-1 të klubit të tij, Vupertaler në miqësoren kundër Rot-Vajs Ahlen.

Kombëtarja, miqësore me klubin e kategorisë së katërt

Kombëtarja (B) e futbollit do të luajë të shtunën (9 janar, 15:00) një ndeshje miqësore me Siirtspor Jetpa, një klubi i kategorisë së katërt në Turqi (Liga e 3-të, Grupi 5), por që në sezonin 2000-2001 ka qenë pjesëmarrës në Superligën turke. Në takimin e parë miqësor kundër Adanasporit të kategorisë së dytë turke (Liga 1), përfaqësuesja jonë (me lojtarë nga kampionati shqiptar) humbi me rezultatin 2-1. Golin e vetëm në atë takim për formacionin e udhëhequr nga Josip Kuzhe e realizoi mbrojtësi i Tiranës, Andi Lila (66’) me një gjuajtje jashtë zonës. Pas kësaj ndeshje lojtarët e thirrur do të rikthehen në Shqipëri, më 10 janar, ndërkohë futbollistët e Tiranës dhe të Dinamos do të vazhdojnë grumbullimin me skuadrat e tyre, të cilat po kryejnë fazën përgatitore po në Antalia të Turqisë. Dinamo ka disa ditë që ka mbërritur në Belek, ndërsa Tirana mbërrin të shtunën në Kemer.

9 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›