E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthen Cana, Beqaj frenon Interin

Mund të quhet pa frikë mbrëmja e rezultateve bllof, por dita e shqiptarëve Cana e Beqaj, mesfushori i Marsejës fitoi 3-0 kundër holandezëve të PSV Eindhoven dhe portieri i Anorthosit barazoi 3-3 me italianët e Interit. Për herë të tretë suedezi Zlatan Ibrahimoviç nuk mundi të shënojë kundër portierit të Kombëtares shqiptare.

DRAMË NË QIPRO

Interi i Murinjos nuk po njihet më si në kampionatin italian, por tani edhe në Ligën e Kampioneve. Një paraqitje jo në nivelin ku të gjithë presin të shohin një nga formacionet më të paguara në botë e me një trajner të superpaguar.

Interi kaloi në avantazh me Balotelin në minutën e 13-të, por Bardon barazoi për Anorthosis në të 31-tën. Minutat e fundit të pjesës së parë ishin vërtet dramatike. Materaci risolli kryesimin e zikaltërve në minutën e 44-t, por pa kaluar një minutë vendasit barazuan me anë të Panagit. Pjesa e dytë rinisi me golin e Anorthosisit, të realizuar nga Frusos pesë minuta nga fillimi i fraksionit të dytë, duke e bërë akoma më dramatike ndeshjen për italianët e Murinjos. Falë golit të argjentinasit Hulio Kruz, Interi barazoi 3-3 dhjetë minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt.

Panathinaikos e “torturoi” jo pak Verder Bremenin, kur Manxhios shënoi në minutën e 58-të për ekipin grek. Karagunis dyfishoi në minutën e 70-të për athinasit. Gumas vulosi shifrat në 0-3 në minutën e 86-të, duke e ngjitur skuadrën e tij në vendin e tretë me katër pikë.

ZONJA “ROMA”

Në Grupin A, “zonja” e madhe e mbrëmjes ishte Roma. Përkundër problemeve të mprehta në Serinë A, Roma shpërtheu në “Olimpiko”, duke befasuar Çelsin e Luis Felipe Skolarit, me një fitore të bujshme 3-1. Kristian Panuçi çeli serinë e golave verdhekuq në minutën 34, ndërsa Marko Vuçiniç brenda dhjetë minutash – 48’ e 58’ – i dha kryesimin 3-0 skuadrës së Spaletit. Kapiteni i Çelsit, Xhon Terri, shënoi golin e nderit për skuadrën e tij në minutën e 75-të. Roma u barazua me Çelsin, me nga 7 pikë pas katër ndeshjesh.

Po në grupin A, rumunët e Kluzhit nuk mundën të përballonin presionin e francezëve të Bordosë, duke humbur 1-2. Gurkuf shënoi pas gjashtë minutash lojë për Bordonë, Dani vendosi ekuilibrat në 1-1 pas tre minutash, ndërsa Vendel çoi shifrat në 1-2 në minutën e 38-të.

Në grupin C, Barcelona e tre fitoreve rresht u ndal nga Bazeli i vendit të fundit në “Kamp Nou”: 1-1. Lionel Mesi shënoi për katalanasit në minutën e 62-të, Derdijok u kundërpërgjigj për zviceranët njëzet minuta më pas.

Po në këtë grup Sportigu i Lisbonës fitoi 1-0 me Shahktar Donjeckut falë golit të Derleit në minutën e 73-të.

Në Grupin D, Marseja, falë golave të Kone (30’) e Niang (63’ e 71’), mori revanshin ndaj PSV Eindhovenit, për atë humbje në Eindhoven 15 ditë më parë. Kjo ishte dhe dëshira e trajnerit belg të marsejezëve, Erik Gerets, por edhe e kapitenit shqiptar Lorik Cana. Marseja nga ana e saj i dha fund serisë humbjeve, duke “pronësuar” tri pikët e para e shpresuar për vendin e tretë.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Liverpuli barazoi në shtëpi me Atletikon e Madridit (1-1). Rodriguez shënoi për spanjollët në minutën e 37-të, por kapiteni Stivën Xherard realizoi me penallti në minutën e 90-të, duke ruajtur edhe kryesimin e grupit, tani me 8 pikë. 

 

E Marte, 30 Nentor 1999  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›