Shpërthen PBDNJ: Berisha të pezullohet, Topalli të iki
Deputeti i PBDNJ-së, Leonard Solis paraqet qëndrimin kritik ndaj Berishës e Topallit
TIRANË- Jo vetëm Partia Socialiste, por edhe një prej partive aleate, pjesë e qeverisjes së vendit, PBDNJ, e ka pritur për një kohë të gjatë ndjesën publike të kryeministrit Sali Berisha ndaj fyerjeve të ulëta që ai lëshoi ndaj familjes së deputetit socialist, Taulant Balla. Deputeti i PBDNJ-së, Leonard Solis, referuar incidentit të rëndë të ndodhur plot një javë më parë në Kuvend, për të cilin nuk pati asnjë reflektim nga kreu i ekzekutivit apo përfaqësues të tjerë të PD-së, ka kërkuar pezullimin e Berishës për dy javë nga aktiviteti parlamentar. Madje Solis vijon edhe më tej qëndrimin e tij kritik, duke theksuar se për këtë situatë duhet shkarkuar edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila, sipas tij, është shkaktare për prishjen e parlamentarizmit në vend. “Pikësëpari, fajtori është znj.Topalli. Ishte gafa më e rëndë dhe që do të votoj përjetësisht për të shkarkuar Kryetaren e Kuvendit, znj.Topalli nga Kuvendi, sepse e shkatërroi Kuvendin dhe është personi më negativ aty. Pikësëdyti, do bënin mirë që të shkarkohej dy javë z.Berisha sepse është fajtor shumë herë më i madh sesa z.Balla”,- tha Solis. Deputeti i PDBNJ-së, që është edhe një nga figurat kryesore të kësaj partie, ka deklaruar pa hezitim se do të mbështeste çdo iniciative që do të vinte nga opozita, apo kushdo forcë tjetër politike, për të shkarkuar Kryetaren e Kuvendit nga posti që ajo mban. “Për znj.Topalli unë e depozitoj në bankë të kursimit votën time për shkarkim”,- vijoi ai.
Ndryshimet në qeveri
Krejt formale mund të cilësohen ndryshimet në qeverinë “Berisha”. Deputeti i PBDNJ-së, Leonard Solis u shpreh se ndryshimet duhet të ishin më të mëdha në funksion të interesave jetike të vendit, dhe jo për të përmbushur kërkesat e brendshme të politikës. Solis, në qëndrimin e tij, shpjegon edhe ndryshimet e fundit të qeverisë, që morën plot dy ditë më parë edhe firmën e Presidentit të Republikës, Bamir Topi. “Z.Pollo u mburr se për herë të parë po fillonin reformat. Bëri gabimin e të gjithë atyre të tjerëve para tij, që thoshin se me ardhjen time fillojnë reformat këtu. Sa i përket problemit të Ministrisë së Shëndetësisë, është një lëvizje akoma edhe më e zgjuar. Mund të ishte bërë edhe më përpara”,- tha Solis.
Aleatët
Në fakt, kryeministri Sali Berisha më shumë se kurrë kësaj here ka luajtur pikërisht me aleatët, për të zgjidhur problemet mes tyre. Kundrejt këmbënguljes së PR-së për të drejtuar një ministri me peshë, Berisha ka lëshuar pe` vetëm për Ministrinë e Shëndetësisë, duke shfrytëzuar mjaft probleme në këtë dikaster. Në anën tjetër edhe reformatorët, për të cilët kishte jo pak kontestime, sepse me dy deputetë drejtonin një nga dikasteret më të rëndësishme të qeverisë “Berisha”, janë zhvendosur drejt një posti më shumë burokratik siç është ai i zv-Kryeministrit. Ministria e Arsimit i kalon një zyrtari të PD-së, Fatos Beja. Ndërsa me përfaqësuesit e PBDNJ-së, kryeministri Sali Berisha nuk ka bërë asnjë negociatë, përpos qëndrimeve të ndryshme, qoftë edhe publike, që kjo parti ka bërë lidhur me qeverisjen e disa prej ministrave.