E Shtunë, 31 Tetor 2026

Debati, drafti për spiunët miratohet në Shtator

 

Anëtarët e Komisionit të Ligjeve pritet të vendosin për të kaluar në muajin Shtator votimin

TIRANË- Projektligji i shumëpërfolur për pastrimin e figurës së zyrtarëve të lartë pritet që të miratohet nga Kuvendi vetëm në muajin Shtator. Burime nga PD deklaruan dje për gazetën se ky draft po shkon drejt shtyrjes, me qëllim gjetjen e një kompromisi me Partinë Socialiste. Edhe pse u miratua me urgjencë nga Partia Demokratike pak ditë më parë, gjithçka më pas stopoi pas qëndrimit të OSBE-së, e cila përmes një deklarate zyrtare këshillonte shtyrjen e saj dhe miratimin me konsensus për shkak të përmbajtjes dhe qëllimit që drafti përmban. PS ka deklaruar se personat që i janë nënshtruar një herë verifikimit nëpërmjet ligjeve të mëparshme, nuk duhet të verifikohen sërish, ndërsa PD mendon se duhet të verifikohen. Sipas logjikës së PD-së, nëse një person është kontrolluar dhe ka dalë i pastër, nuk ka pse të mos kontrollohet përsëri. Demokratët mendojnë se të gjithë personat që mbajnë një post të caktuar dhe gjatë kontrollit rezultojnë të implikuar me dosje, atëherë atyre duhet t’u ndërpritet mandati dhe të largohen nga puna. Qëndrimi i PS-së është se mandatet kushtetuese nuk mund të kufizohen dhe ndërpriten pasi diçka e tillë është antikushtetuese. PS, shprehet gjithashtu se verifikimi nuk mund të përdoret për pozicione zyrtare me zgjedhje, përveçse kur kandidati e kërkon vetë këtë gjë, pasi votuesit mund të zgjedhin këdo që duan. Ky proces sipas tyre nuk duhet të përdoret për pozicione të organizatave private ose gjysmë private, si media apo feja. Hapja e arkivave gjithashtu për partinë më të madhe të opozitës duhet të ketë një metodë e cila duhet të shoqërohet me komisione të posaçme, për të parë nëse ka falsifikime, pra, a ka futje emrash vetëm për të plotësuar numrat e dëshmitarëve etj. Nga ana tjetër PD e ka gati draftin, në pritje të gjetjes së një kompromisi të paktën me partinë më të madhe të opozitës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›