E Shtunë, 31 Tetor 2026

Votimi i dekreteve, PDK drejt abstenimit

 

Shtatë votat e Nard Ndokës në Kuvendin e Shqipërisë nga sot nuk do të jenë pro kabinetit të kryeministrit Berisha

TIRANË- Shtatë votat e Nard Ndokës në Kuvendin e Shqipërisë nga sot nuk do të jenë pro kabinetit të kryeministrit Berisha, ndërsa do të kalojnë për miratim dekretet e presidentit Bamir Topi për ndryshimet në qeveri. Ne seancën e pasdites deputetët demokristianë kanë vendosur paraprakisht që të abstenojnë, ndërkohë që vendimin përfundimtar pritet ta marrin sot pas një mbledhjeje të grupit parlamentar të kësaj partie. Ndërsa Berisha duket se nuk do të vihet shumë në vështirësi për të kaluar ndryshimet e ekzekutivit, që duan minimalisht 71 vota pro. Dekretet e kreut të shtetit pritet që të votohen nga ish-deputetet “nanoistë” që javën e shkuar njoftuan krijimin e grupit parlamentar të Qendrës, të ndihmuar nga deputeti republikan Alfred Gega dhe ai demokrat Flori Bajramaj. Sonte është edhe seanca e parafundit e Kuvendit për këtë legjislaturë. Ndaj dekretet e Genc Pollos për detyrën e zv/kryeministrit, Fatos Bejës për Ministër të Arsimit, Anila Godos për Ministre të Shëndetësisë dhe shkarkimi i Nard Ndokës pritet të kalojnë sot. Demokristianët, në një mbledhje të ngushtë të forumeve të partisë, pas largimit të Ndokës nga ekzekutivi, vendosën që së shpejti të dalin nga koalicioni qeveritar edhe pse zyrtarisht, as në mbledhjen e kryesisë, të mbledhur për këtë çështje, nuk e konfirmuan. Megjithatë, e sigurt tashmë është se demokristianët do të bëjnë opozitë brenda Parlamentit, duke vazhduar politikat si një parti e qendrës së djathtë. Situata pritet të bëhet akoma më e nderë pas zhvillimeve që do të shoqërohen në Ministrinë e Shëndetësisë. Në fundjavë, Ministrja e ardhshme e Shëndetësisë, Anila Godo paralajmëroi shkarkime teksa njoftoi se emërimet në rrethe kanë qenë joprofesionale dhe mbi baza partiake. Një arsye më shumë kjo për të sjellë një tjetër reagim të PDK-së, që për hir të së vërtetës kanë qenë jo pak “problematikë” në zbatimin e politikave të kryeministrit Sali Berisha.

Dekretet

Nëse sot seanca parlamentare e pasdites nuk do të rezervojë ndonjë surprizë, të nesërmen Ministri i Arsimit, Fatos Beja, Genc Pollo dhe Anila Godo, do të bëjnë betimin në Presidencë. Pas betimit, tre ministrat, Beja, Pollo e Anila Godo pritet të jenë të pranishëm në mbledhjen e Qeverisë, që do të zhvillohet ditën e mërkurë. Në mbledhjen e radhës së qeverisë, Genc Pollo pritet të zërë vendin bosh prej muajsh, në krah të kryeministrit Berisha, ndërkohë që do të ketë përballë Fatos Bejën ,i cili do të ulet në karrigen e Ministrit të Arsimit. Ndërkohë, përveç ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, një tjetër zonjë do të bëhet pjesë e kabinetit qeveritar. Mjekja Anila Godo do të zërë vendin e Nard Ndokës, për t’u përshëndetur tashmë me ministrin e Punëve Publike, Sokol Olldashi, dhe atij të Bujqësisë dhe Ushqimit, Jemin Gjana, vendet e të cilëve janë vendosur në zyrën e mbledhjeve të qeverisë, krah vendit të Ministrit të Shëndetësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›