E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arvizu takon policinë për shpërthimin

Tiranë- Pas shpërthimit të ndodhur në afërsi të çadrës elektorale të Partisë Socialiste, në vendngjarje mbërriti edhe ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu. I shoqëruar nga truprojat e tij, Arvizu fillimisht kaloi rrethimin e vendit të ngjarjes, ku mori takime me drejtues të policisë së kryeqytetit. Për rreth 10 minuta, diplomati amerikan u informua nga drejtori i Policisë së Tiranës, Sajmir Muçaj dhe dy zëvendësit e tij mbi ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme, vetëm disa metra larg çadrës elektorale të PS-së, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Gjatë bisedës me drejtuesit e policisë, të pranishëm ishin edhe deputetët socialistë, Eduart Shalsi dhe Artan Gaçi, të cilët gjithashtu u informuan mbi veprimet e para të policisë lidhur me shpërthimin e fuqishëm. Pas takimeve me krerët e bluve të kryeqyteti, ambasadori Arvizu qëndroi disa çaste në shoqërinë e dy deputetëve të pranishëm në vendin e ngjarjes. Mësohet se deputetët Shalsi e Gaçi informuan ambasadorin e SHBA-ve rreth atyre që kishin arritur të mësonin për ngjarjen, që është cilësuar tepër e rëndë nga të pranishmit në çadrën elektorale. Pas bisedës që zgjati rreth 10 minuta, ambasadori Arvizu, i shoqëruar nga truprojat e tij, u largua drejt automjetit, pa pranuar të japë komente për mediat rreth vizitës së tij në vendin e shpërthimit. Ngjarja e ndodhur pranë çadrës elektorale të PS-së, vjen një javë para zgjedhjeve lokale që do të mbahen më tetë maj në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›