E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthen bombola e gazit, shpëtojnë familjarët

07/03/2010 Ngjarja në fshatin Mbrostar të Fierit

Një bombol gazi ka shpërthyer në një banesë në afërsi të qytetit të Fierit. Shpërthimi ka rrezikuar seriozisht jetën e anëtarëve të familjes Buzi në Mbrostar Ura të qytetit të Fierit. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme kur është dëgjuar një shpërthim i fuqishëm në njërën prej dhomave ku në atë moment nuk kishte njeri, pasi familjarët rrinin në kuzhinë. Të shqetësuar dhe të trembur nga çfarë kishte ndodhur, familjarët kanë dalë menjëherë jashtë nga shtëpia. Vetë kryefamiljari Beqar Buzi është shprehur se gjithçka erdhi nga një pakujdesi e momentit. “Më tha gruaja që të fikja gazin, por unë në vend që të mbyllja atë që ishte ndezur, hapa tjetrën, pasi kisha fare pranë dy bombola gazi me nga 10 litra gaz të lëngshëm secila. Vetëm pak minuta pas këtij veprimi dhe u bë ajo që u bë. Një shpërthim që na shkrumboi gjithçka. Jemi dëmtuar shumë në banesë dhe në ekonomi, por jam i lumtur që kam fëmijët shëndosh e mirë”, ka deklaruar Beqar Buzi. Menjëherë sapo kanë dëgjuar shpërthimin, në ndihmë të familjarëve kanë shkuar edhe fqinjët, të cilët kanë dhënë edhe ndihmën e parë. Nuk ka vonuar dhe në mbështetje të familjes Buzi ka shkuar edhe kryetari i komunës Mbrostar-Ura, Vait Bace. Pas qetësimit të situatës vetë familjarët kanë konstatuar edhe dëmet e shkaktuara. A. Damini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›