E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli kundër gjyqit ndaj Albin Kurtit, mblidhen 150 mijë firma

Këshilli Kundër Procesit Gjyqësor ndaj Albin Kurtit ka mbledhur 150 mijë firma përmes të cilave kërkon nga EULEX-i dhe organet e tjera të drejtësisë mbylljen e procesit gjyqësor ndaj kreut të lëvizjes “Vetëvendosje”, si dhe fillimin e hetimeve për vrasjen e dy aktivistëve të kësaj lëvizjeje, Mon Balajt dhe Arben Xheladini, në protestën e 10 shkurtit të vitit 2007.

“Këshilli dëshiron edhe njëherë të konfirmojë para opinionit publik se puna dhe aktiviteti i tij është neutral sa i përket ndikimeve politike. Edhe peticioni nuk mund të kuptohet i përkrahje për një subjekt të caktuar politike e as si kundërshtim për institucionet e ndryshme që punojnë në Kosovë. Peticioni në mënyrë strikte duhet të kuptohet si përkrahje për dy kërkesat tona: për mbylljen e procesit gjyqësor ndaj Albin Kurtit dhe për fillimin e hetimeve për vrasjet e 10 shkurtit 2007” tha Valon Murati, përfaqësues I Këshillit.

Murati tha se nënshkrimi i peticionit nga një numër i madh qytetarësh pasqyron një zhvillim pozitiv në Kosovë: “Ajo që ne kemi dëshmuar me këtë aktivitet është se shoqëria jonë ka forcë për t’i tejkaluar ndarjet që ekzistojnë për çështje të caktuara politike dhe ideologjike dhe se mund të bashkohet në funksion të një çështje që e konsideron të dobishme për demokracinë e Kosovës”.

Lideri i “Vetëvendosjes” Albin Kurti, ka refuzuar dy herë që të paraqitet në seancën gjyqësore ndaj tij, duke e quajtur atë të motivuar politikisht. Kurti akuzohet nga EULEX-i, për pjesëmarrje në një turmë e cila ka kryer vepra kriminale, pjesëmarrje në një grup që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e përgjegjësive të tyre, si dhe për thirrje për rezistencë me forcë në protestën e 10 shkurtit të vitit 2007 në Prishtinë.

Bul Salihu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›