Shpërthen epidemia e kolerës në Kubë

Të paktën tre persona kanë vdekur dhe 53 të tjerë janë duke u trajtuar, pasi u diagnostikuan me kolerë në ishullin e Kubës, konfirmuan burimet zyrtare.
Epidemia ka shkaktuar një panik kombëtar, ndërsa gazeta “Granma”, organ i partisë komuniste në pushtet informoi se disa puse dhe burime të dyshuara si të ndotura janë mbyllur.
Nga ana e saj, Ministria kubane e Shëndetësisë ka hedhur poshtë pretendimet e medieve perëndimore, se ka një mungesë mjekimesh dhe fondesh për të luftuar epideminë.
”Situata është tërësisht nën kontroll dhe shërbimet spitalore janë duke i ofruar vëmendje të plotë dhe të mjaftueshme të gjithë pacientëve”, thuhet në komunikatën e ministrisë.
Si masë paraprake, në të gjithë ujësjellësit e vendit është shtuar doza e klorit, i cili vret bakterin shkaktar të kësaj sëmundje vdekjeprurëse.