E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rebelohet Bakaj: Mjaft më, s’luaj për bamirësi!

Ka qenë një ndër personazhet kryesore të merkatos verore të futbollit shqiptar. 

Fatjon Kodra

Talenti i Partizanit, Elis Bakaj u kërkua nga klube si Tirana e Dinamo në Shqipëri, por edhe nga shumë klube të huaja duke filluar që nga Gjermania, Ukraina apo edhe Qiproja. Megjithatë, në fund futbollisti virtuoz vendosi të qëndrojë te Partizani, për dy arsye. E para, sepse çmimi i vendosur nga Xhani për kartonin e tij ishte shumë i lartë dhe e dyta, sepse të kuqtë i ofruan një kontratë “faraonike” për nivelin e futbollit shqiptar. Mirëpo, kur kanë kaluar 3 muaj nga firmosja e kontratës, Bakaj nuk ka marrë as edhe një këst nga kontrata e re, ndërkohë që shpërbërja e Partizanit gjatë merkatos ka zhgënjyer tej mase futbollistin.
A duhet pritur ende për t’ju parë në fushë në një ndeshje kampionati?
Nuk di të them. Ende nuk jam rikuperuar plotësisht nga dëmtimi, po punoj intensivisht, por nuk i sigurt nëse do të jem i gatshëm për ndeshjen e me Vllazninë. Pastaj, stafi mjekësor më ka këshilluar që të mos nxitohem, në mënyrë që kur të kthehem në fushë të jem plotësisht i gatshëm. Të shohim në ditët në vazhdim.
Rinovuat me Partizanin, ndërkohë që ishit nga më të kërkuarit në merkato. Mirëpo, me të kuqtë vështirë se mund të fitoni ndonjë trofe këtë sezon duke për kontingjentin...
...Kam shumë keqardhje përsa i përket zgjedhjes së bërë. Siç dihet, kisha shumë oferta nga klubet e kryeqytetit, por edhe jashtë. Shuma që kërkoi presidenti Xhani për kartonin tim ishte goxha e lartë, duke bërë që negociatat me klubet e interesuara të dështonin pikërisht për këtë arsye. Kisha mundësi të shkoja të Gjermani, Ukrainë apo së fundmi edhe në Qipro. Më pas, të kuqtë më bënë një ofertë të mirë nga ana financiare, ndërsa nga ana tjetër më premtuan se Partizani do të rindërtohej dhe do të synonte trofe, por asgjë nuk rezultoi e vërtetë.
Të paktën fituat në aspektin personal, me një kontratë për t’u pasur zili apo jo?
Nuk është tamam ashtu. Vërtetë kam firmosur që prej tre muajsh me Partizani, por deri më tani nuk kam marrë asnjë lek nga presidenti Xhani. Është krijuar një situatë absurde. Më vjen shumë keq, pasi ishte Xhani ai që këmbënguli që unë të qëndroja. Ekipi deri tani nuk është lartësinë e duhur në krahasim me rivalet e tjera, që pretendojnë për trofe, ndërkohë që unë nuk mund të vazhdoj të luaj për bamirësi. I duhet dhënë fund kësaj gjendjeje. Jam shumë i zhgënjyer.
Keni biseduar me presidentin Xhani në lidhje me këto çështje?
Patjetër që kam biseduar, por ai vazhdon të bëjë premtime boshe. Do të kishte qenë më mirë të isha transferuar në një skuadër tjetër, pasi kështu nuk mund të vazhdohet më. Jam shumë i indinjuar dhe më vjen keq për këtë. Çmimi i lartë i vendosur nga Xhani për kartonin tim, nuk më lejoi të transferohesha në një klub tjetër, duke më djegur shumë mundësi. Tani duhet të isha në ndonjë klub të njohur evropian, por për fatin e keq aktualisht ndodhem te Partizani, duke luajtur gratis.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›