E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthen granata në mal, vdes 60-vjeçarja

Shpërthimi i një granate në mal i ka marrë jetën një gruaje nga fshati Kalimash dhe ka lënduar shumë rëndë të shoqin. Ngjarja ka ndodhur dje pasdite, pas orës 17:00, kur çifti Hasan dhe Fije Çelmani, përkatësisht 65 dhe 60 vjeç, kanë qenë në malin e fshatit, rreth 2 km larg shtëpisë, duke prerë dushk. Në punë e sipër ka ndodhur shpërthimi i fuqishëm që ka lënë të vdekur në vend gruan 60 vjeçe, ndërsa ka plagosur në trup burrin e saj. Të dhënat e para flasin për shpërthimin e një granate, e hedhur në mal në vitin e trazuar 1997, apo në një kohë tjetër, por ende nuk saktësohet zyrtarisht. Një burim i policisë, duke pohuar ngjarjen, e cilëson si aksidentale, ndërsa në vendngjarje ka shkuar një grup hetimor, si dhe janë ftuar ekspertë të Kriminalistikës nga Tirana për lëndët shpërthyese, për të studiuar llojin e eksplozivit. 65-vjeçari i mbetur gjallë ndodhet i shtruar në spitalin e Kukësit, në kurime intensive dhe thuhet se është jashtë rrezikut për jetën.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›