E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthim në Oslo, policia: Dy të vdekur

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur sot në kryeqytetin norvegjez Oslo rreth orës 15:20, pranë selisë qeveritare duke shkaktuar të paktën dy të vdekur dhe tetë të plagosur. Një zyrtar i policisë njoftoi se shpërthimi ishte prej një bombe, ndërsa priten njoftime zyrtare nga autoritetet mbrojtëse norvegjeze. Raportimet e mediave ndërkombëtare bëjnë me dije se në një prej qyteteve më të qeta të botës, në këto momente ka probleme dhe kaos. Të gjitha rrugët që të çojnë në qendër janë të bllokuara, ndërsa në vendin e shpërthimit duken qartë ndërtesat e dëmtuara, xhamat e thyer dhe dëme të tjera materiale.

Një ekspert vendas i terrorizmit, i intervistuar nga televizioni shtetëror NRK, ka deklaruar se ndoshta mund të bëhet fjalë për një atentat terrorist te planifikuar. Ajo që dihet me siguri është se në momentin e shpërthimit, kryeministri Jens Stoltenberg, nuk ndodhej në zyrën e tij.

Vetë kreu i qeverisë norvegjeze, në një komunikatë për mediat, tha se është herët të flitet për një sulm terrorist. Jenc Stoltenberg tha se ngjarja është e rëndë. Ai u shpreh se është në gjendje të mirë shëndetësore, por nuk tregoi vendndodhjen e tij. Norvegjia, anëtare e NATO-s, ka qenë disa herë objekt i kërcënimeve, sidomos në lidhje me përfshirjen e saj në konfliktet në Afganistan dhe Libi.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›