E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthime dhe të shtëna armësh në veri, nuk ka të arrestuar

Policia ka regjistruar dy raste me shpërthime të eksplozivit dhe një tjetër me të shtëna armësh në veri të Kosovës. I pari ka ndodhur në afërsi të Bërnjakut në Zubin Potok në një lokacion jo larg Liqenit të Gazivodës. Rasti tjetër është regjistruar në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës. Deri më tani nuk ka të arrestuar dhe as të dyshuar.

Në veri të Kosovës në 24 orët e fundit policia ka regjistruar raste të reja shpërthimi dhe të shtënash, derisa nuk ka gjetur akoma kryerësit e tyre. Zëdhënësi i policisë për rajonin Mitrovicës, Besim Hoti i ka thënë Radio Kosovës se nuk ka pasur shkëmbim zjarri dhe as dihet përkatësia e njerëzve të përfshirë në këto raste.

Ndërkohë që mediet serbe kanë cituar kryetarin paralel të Mitrovicës, Kërstimir Pantiq të ketë deklaruar se “shënjestër e sulmuesve kanë qenë pjesëtarët serbë të njësisë së zjarrfikësve”.

Ai këto të shtëna ua ka atribuuar shqiptarëve banorë të “Kroit të Vitakut” në Mitrovicë, përderisa policia dhe KFOR-i mësohet se po hetojnë të kundërtën.

Veriu i Kosovës vazhdon të mbetet një zonë plotë tensione dhe sulme nga ekstremistët serbë dhe strukturave paralele. Intensiteti i tyre është rritur sidomos kohëve të fundit pasi që banorët shqiptarë tek Kroi i Vitakut në Mitrovicë po përpiqen t’i rindërtojnë shtëpitë e tyre të djegura në luftë./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›