I pari që erdhi në spital. Fëmija 4-vjeçar mban mend nënën e gjymtuar
Familja Mustafa përcolli për në banesën e fundit Ademin, 55-vjeçar, bashkëshorten Lavdien, 41 vjeçe, vajzën Elona, 12 vjeçe, ndërsa vajza tjetër Raisa Mustafa ndodhet në gjendje të rëndë. Në Spitalin Ushtarak janë të plagosur edhe fëmijët e tjerë të dy prindërve të ndarë nga jeta, Mirsadi, 4 vjeç, Armando, 8 vjeç dhe motra e tyre Mirlinda, 15 vjeçe. Ata nuk dinë se ku ndodhen prindërit e tyre dhe në çdo moment i kërkojnë, ku djali i vogël, Mirsadi, ka fiksuar çdo moment të ngjarjes. Ai tregon se si nëna e tij e kishte mbrojtur dhe krahu i ishte këputur, ndërkohë që babanë e ka parë të gjakosur, teksa mbronte vëllanë më të madh, Armandon. Në katin e tretë të kirurgjisë, në një dhomë janë lënë dy vëllezërit e mbijetuar, që ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa dy motrat e tyre, Mirlinda dhe Raisa, ndodhen në reanimacion, ku kjo e fundit ka plagë shumë të rënda. Në dhomën ku ka rënë qetësia, dy gra të veshura me të zeza mundohen të mos hedhin asnjë pikë lot, që fëmijët të mos kuptojnë asgjë, pavarësisht se në të njëjtën orë po kryhej ceremonia mortore në Fushë-Arës, ku u jepej lamtumira e fundit tre të dashurve të tyre. Familja Mustafa ka qenë më e prekura e kësaj tragjedie të rëndë, ku dy prindërit me pesë fëmijët e tyre po ktheheshin nga plazhi. Në dhomën e kirurgjisë ndodhen dy vëllezërit. Armando ka pësuar plagë në mjekër, në këmbë dhe në duar. Por, tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa fëmija katërvjeçar, Mirsadi, ka dëmtime më të vogla. Ai është personi i parë që është sjellë në Spitalin Ushtarak me helikopterin e Ministrisë së Shëndetësisë. Të gjithë kur e panë menduan se kishte vdekur, pasi ishte pa ndjenja, por shumë shpejt gjendja e tij shëndetësore u përmirësua dhe tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ai ka plagë të vogla në duar dhe në këmbë. Motrat e tyre ndodhen në reanimacion, ku siç është cilësuar edhe nga mjekët, Raisa është shumë rëndë, edhe për shkak të plagëve në kokë. Dy gratë, që ruajnë fëmijët, pasi të tjerët ndodhen në mort, shprehen pesimiste për shëndetin e saj. Djali i vogël katërvjeçar, i cili mban mend çdo moment të aksidentit, i tregon vëllait të tij më të madh se çfarë ka ndodhur, pasi ai kishte humbur ndjenjat dhe nuk mban mend asgjë. Në një bisedë me të afërmit, i vogli tregon se çfarë ka ngjarë.
Ku ke qenë?
Isha me mamin, babin, vëllanë dhe tri motrat në plazh. Pastaj morëm autobusin për të shkuar në shtëpi. Rrugës kemi bërë aksident, pasi autobusi u përplas. Unë doja që në shtëpi të shkonim me makinë.
Keni bërë aksident me makinë apo me autobus?
Me autobus, e mbaj mend shumë mirë. Mami më mbante në prehër, ndërsa Armando rrinte me babin, kurse motrat bashkë. Autobusi u përplas dhe mami më shtrëngoi fort në duar.
Kur ramë, pashë mamin që nuk fliste.
Si nuk fliste?
I ishte këputur krahu, ishte pa krah. Ndërsa babi ishte më larg. Burrat bërtisnin shumë, bashkë me tetat.
Po çfarë bëre?
Erdhi një xhaxhi dhe më mori. Më hipën me avion dhe fluturuam. Më ka zënë gjumi, e kur u zgjova, pashë Mandin afër meje.
E do shumë Mandin?
Po. Do blej dy makina, një për vete dhe një për Mandin.
Do që të blej unë një makinë?
Jo. Do të ma blejë mami kur të shërohet. Pastaj do marrim edhe motrat për të shkuar në plazh.
Të dhemb këmba?
Po, por vëllai është më i sëmurë. Ka gjak te fytyra. Unë dua që edhe ai të shërohet.
#