Shpërthimi në një gurore në Lezhë. Bilanci: një i vdekur, një i plagosur dhe pronari në pranga

Policia e Lezhës arrestoi sot dy persona të dyshuar si shkaktarë të ngjarjes që ndodhi dje në mbrëmje në fshatin Gocaj të komunës së Balldrenit, ku gjatë një shpërthimi në guroren e këtij fshati gjeti vdekjen roja i fabrikës së çimentos që është duke u ndërtuar aty pranë si dhe u plagos një person tjetër. Burime zyrtare të policisë së qarkut të Lezhës thanë se "Ferdinad Ujka, 42 vjeç, banues në Lezhë, pronar i firmës “Vulkano Konstruksion” sh.p.k, që administron guroren dhe Tonin Çupi, 49 vjeç, banues në Tale, punëtor në gurore, u shoqëruan fill pas ngjarjes së ndodhur dje në mbrëmje, ndërsa sot ndaj tyre u mor masa e arrestit". Dy të arrestuarit, sipas policisë, do të përgjigjen për disa vepra penale, ndër të cilat dhe për shkeljen e ligjit për përdorimin civil të lëndëve plasëse në Republikën e Shqipërisë. Nga të dhënat e deritanishme rezulton se mbrëmjen e djeshme, gjatë shpërthimit me lëndë plasëse për nxjerrjen e materialeve në guroren e firmës “Vulkano Konstruksion”, gurët depërtuan në territorin ku po ndërtohet fabrika e çimentos, duke lënë të vdekur në vend 45 vjeçarin Zef Simoni, me detyre roje private, ndërsa u plagos rëndë 55 vjeçari Pal Gjini.
...