E Diel, 1 Nëntor 2026

Në vend që të përkujdesemi se ç’po vepron Serbia, ne merremi me vetveten!

1.BE-ja mori vendim që Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia  janë shtetet që përfituan me rastin e liberalizimit të vizave, kurse Kosova, Shqipëria dhe Bosnja pa të drejtë duhet të presin për më vonë. Më 17 korrik, shumë shtete i deponuan komentet lidhur me ligjshmërinë e  pavarësisë së Kosovës te GJND-ja. Ofensiva diplomatike e Serbisë vazhdoi më 15 dhe 16 korrik në Egjipt, ku presidenti i saj, Boris Tadiq, mori pjesë në takimin e 118-të vendeve të painkuadruara, aq sa numëron kjo organizatë. Lobimi kundër pavarësisë së Kosovës, edhe kësaj radhe, është qëllimi i pjesëmarrjes së Tadiqit në këtë takim. Gjatë kësaj kohe, është dashur që institucionet tona shtetërore, të angazhohen më tepër, për ta bllokuar hapësirën e veprimit serb kundër Kosovës. Në vend se të merren me këtë çështje, pozita dhe opozita më shumë janë të preokupuara në akuza kundër njëra-tjetrës. Derisa këto po mundohen ta zënë në „këndin e vdekur“ njëra-tjetrën, Serbia po ndërmerr masa represive kundër shqiptarëve në Kosovën Lindore. Përpos synimit për ndarjen e Kosovës, serbët janë duke përgatitur skenarë të rrezikshëm edhe për spastrim etnik. Zhvillimin e ngjarjeve në Kosovën Lindore duhet ta ndjekim me kujdes, sepse është në pyetje fati i vëllezërve tanë atje. Një skenar tjetër i kahmotshëm i serbëve, dhe shumë perfid, është ndarja me përcaktim të ekstraterritoreve të manastireve. Dihet tashmë se Manastiri i Deçanit ka uzurpuar afër 800 hektarë tokë, me çka janë dëmtuar rëndë banorët e këtushëm. Po ashtu është penguar ndërtimi i magjistralës për ta lidhur Kosovën me viset shqiptare të Malit të Zi. Ky manastir ka kohë që e ka nxjerr jashtë  përdorimit edhe kompleksin e hoteleve, në grykën e Deçanit. Një gjë të tillë, e ka bërë edhe Patriarkana e Pejës, e cila ka uzurpuar një pjesë të tokës, duke ngritur një mur të tipit kinez, buzë rrugës për Rugovë. Edhe Patriarkana e Pejës është duke pretenduar se 300 hektarë tokë, janë pronë e saj. Me gjasë, serbët do të bëjnë edhe uzurpime të reja të pronave në 40 kisha, sa konsiderohet që janë në Kosovë. Lidhur me këto çështje, u dëgjuan zëra edhe të disa analistëve dhe politikanëve serbë. Ne sikur presim që dikush tjetër të na i rregullojë punët tona shtëpiake!

2. Kanë mbetur edhe disa muaj, kur do të mbahen zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Secili vit i pasluftës ishte më i vështirë se tjetri. Qytetarët po përballen me krizën e rëndë sociale-ekonomike, krizën politike dhe krizën e moralit. Edhe përkundër kësaj gjendjeje, shqiptarët, si populli më optimist në botë, nuk e kanë humbur shpresën se do të bëhet më mirë. Ekonomia pothuajse është në kolaps. Papunësia është rritur në përmasa enorme. Skamja dhe varfëria e kanë mbuluar Kosovën. Gjatë këtyre dhjetë vjetëve, është  akumuluar një energji negative, gjë që i ka frustruar shumë qytetarët. Shumë gjigandë ekonomike tashmë janë privatizuar nga AKM-ja, pa kurrfarë kushti, duke lënë kështu shumë punëtorë në rrugë. Çdo ditë e më shumë po bëhemi shoqëri vetëm me dy klasa: me të pasur e të varfër. Shumë kush në Kosovë sot po jeton vetëm me 40 euro në muaj, që nuk mjaftojnë as për bukë. Kriminaliteti i organizuar dhe korrupsioni, për të cilin kemi folur shumë herë, janë fenomeni më i keq që goditi kombin pas luftës.  

Edhe zgjedhjet, të cilat janë planifikuar të mbahen në nënëtor, janë një  tjetër shpresë e madhe për ndryshime pozitive në të gjitha poret e jetës sonë. Prandaj, ka ardhur koha që të gjitha keqpërdorimet e deritashme të marrin fund...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›