Seleksionimi negativ
Problemi kryesor i Kosovës është se shtetndërtimit bëhet paralelisht me instalimin e kapitalizmit, dhe kjo e dyta thjesht nuk i lejon askujt, as Kryeministrit, që të favorizojë interesat publike para atyre të kapitalit.
Në fazën e fundit të jetës së ish-Federatës Jugosllave, sidomos pas vdekjes së autoritetit suprem të atij shteti, Josip Broz Titos, kriza shoqërore dhe kriza e qeverisjes dhe e institucioneve shpesh shpjegohej me një fenomen që quhej “seleksioni negativ” i kuadrove. Pas shuarjes biologjike të brezit të partizanëve dhe revolucionarëve që e kishin krijuar dhe udhëhequr federatën, në krye të pushtetit dhe të institucioneve në nivelin federativ si dhe në tetë njësitë përbërëse të federatës, po vinin karrieristët dhe burokratët që po e degjeneronin menaxhimin e shtetit dhe tregoheshin të paaftë që t’i bëjnë ballë krizave të njëpasnjëshme ekonomike, sociale dhe të marrëdhënieve ndëretnike.
Kjo sintagmë kryesisht përdorej nga ideologët e fundit të sistemit titist, të cilët e kishin bindjen se brezi i ri po i devijonte dhe bastardonte “idealet e revolucionit”. Ata nuk e kuptonin se kriza kishte burimet tjera më të thella, dhe se seleksioni negativ ishte në të vërtetë njëra nga trashëgimitë e vetë regjimit titist, pasi që nga viti 1945 zgjedhja dhe promovimi i kuadrove nuk bëhej në bazë të aftësive profesionale dhe menaxhuese, por mbi parimin e meritokracisë ideologjike, të qenit besnik i partisë. Në të vërtetë tek brezi i parë i komunistëve jugosllavë kishte shumë mendimtarë, intelektualë dhe ekspertë të klasit më të lartë që revolucionit jugosllav i patën dhënë një dorë të origjinalitetit, dhe për më shumë, ata i rezistuan instalimit të diktaturës dhe stalinizmit, por edhe ata është dashur që të janë “në rrugën e Titos”, ose janë shndërruar edhe vetë në oligarkë që kontrollonin republikat dhe krahinat, si pashallarë të socializmit. Nuk dua që të zgjatem më shumë me të kaluarën nga e cila edhe ashtu nuk mund të nxjerrim shumë mësime as pozitive, e as negative. Vetëm se zhvillimet e fundit në Kosovë, prej momentit që ka filluar ndërtimi i institucioneve të pavarura, gjithnjë e më shumë më sjellin ndërmend praktikën e “seleksionimit negativ” me pasoja të rënda për shoqërinë dhe sistemin.
Një sere zgjedhjesh dhe emërimesh në poste të rëndësishme publike, - i fundit ka qenë a i rektorit të UP - janë simptome të qarta të një krize galopante. Kjo krizë ndërthur pushtetin e meritokracisë, e partizanëve të luftës çlirimtare, me promovime të befasishme të figurave mediokre dhe marioneta, të cilat në rrethanat normale nuk do të mund të shihnin as në ëndërr, se mund të bëhen drejtues të institucioneve të rëndësishme të sistemit. Burimi kryesor i krizës së ndërtimit të institucioneve dhe të menaxhimit të tyre nuk është tek aktorët në skenë, siç krijohet përshtypja kur dëgjon për reagimet p.sh. për zgjedhjen e rektorit. Të adresosh problemin te Kryeministri, është gjëja më e lehtë që mund të bëhet, por që e huq esencën e ngjarjes. Është e vërtetë se Hashim Thaçi ka mundur ta diktojë një zgjedhje më të mire, por nuk më besohet se asnjë prej kandidatëve të përfolur do të bënte më shumë se rektori i mëparshëm, i cili erdhi me premtime të mëdha, dhe maksimumi që arriti ishte vendnumërimi i UP. Formula e madhe e krizës, sipas bindjes sime, barazon gjasat e pushtetit aktual dhe të opozitave edhe më ambicioze, që të ndalë “seleksionimin negativ”. Kuptohet, Haradinaj ose Daci sigurisht që do ta bënin një përzgjidhje tjetër për UP, por ama vështirë se do të kishim zgjedhje të kënaqshme që do të evitonte vlerësimin se po triumfon logjika dhe praktika e seleksionimit negativ. Dhe kjo jo vetëm pse as opozita nuk ka vizion dallues dhe më të avancuar mbi zhvillimin e Kosovës dhe mënyrën e qeverisjes të tërësisë dhe të segmenteve të rëndësishme çfarë është universiteti, por ngase vetë sistemi aktual është thjesht kufizues për aplikimin e praktikave më të avancuara. Problemi kryesor i Kosovës është se shtet-ndërtimi bëhet paralelisht me instalimin e kapitalizmit, dhe kjo e dyta thjesht nuk i lejon askujt, as Kryeministrit, që të favorizojë interesat publike para atyre të kapitalit. Në të vërtetë, vetë interesat publike janë të zaptuara nga kapitali, që publikisht tregon fytyrën e tij demokratike dhe liberale, kurse në esencë punon për interesin e përfituesve më të mëdhenj, bizneseve dhe politikanëve, të vendit dhe të huaj. Pas çlirimit dhe shpalljes së pavarësisë, lufta për pushtet në Kosovë nuk ka fare elemente të konkurrencës së programeve dhe projekteve se çfarë sistemi do të ishte më i përshtatshëm për Kosovën. Lufta për pushtet dhe konkurrenca bëhet për atë se kush do të kapë dhe sigurojë pozitat dominuese në kontrollin e resurseve dhe pasurive të Kosovës.
Forcat politike në Kosovë, të gjitha pa përjashtim, pos ndonjë grupimi jorelevant dhe pa ndikim efiçient, nuk kanë fare interes që të merren me projekte dhe prioritetet afatgjate zhvillimore të Kosovës, për shkakun se tani është koha e “plaçkës historike”, kur me pak mund sigurohen monopolet e mëdha dhe tejet fitimprurëse. “Kosova C” e Ramush Haradinajt dhe Ethem Çekut është po ai kryesynim i humbur që tani po e kapitalizon Hashim Thaçi, dhe energjia më e madhe e pushtetit dhe e opozitës shkon për këtë – që të hapet një resurs i madh i profitit – për kosovarët që të kanë 24 orë energji elektrike, por edhe për bizneset që e duan edhe për eksport. Por, ka edhe biznese tjera me profit që edhe Kosova e vogël i gjeneron për një kapitalizëm vendor në ndërtim, që tashmë ka nxjerrë një pakicë të vogël të atyre që janë bërë shumë të pasur dhe duan që të pasurohen edhe më shumë, dhe shumicës që praktikisht pabëzanë i jep përkrahje procesit, sepse mjaftohen me sigurinë dhe “shtetin tonë”, si dhe premtimet se do të bëhet më mirë. Pronarët e Kosovës, sipas logjikës së tregut liberal, mund të bëhen edhe të huajt, dhe ata edhe po e marrin në kontroll pjesën më të madhe të pasurive të Kosovës. Kundërshtimet e këtij procesi janë të zbehta dhe pa gjasa që të ndikojnë në mënyrë këndellëse në opinionin përgjithësisht prokapitalist të Kosovës. Kapitalizmi këtu thjesht nuk ka opozitë të artikuluar demokratike.
Poenta e këtij shkrimi është, pra, se seleksionimi negativ aktual është në funksion të instalimit në heshtje të një sistemi që nuk do shumë zhurmë publike dhe rezistencë të të vetëdijesuarve, por edhe nuk has në asnjë pengesë serioze.
...