E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthimi që tronditi diktatorin e fundit komunist të Europës, Aleksander Lukashenkon

15-04-2011 / Nga Ilirian Dahri

Shpërthimi i disa ditëve më parë në një metro të Minskut u cilësua si një sulm terrorist nga ana e presidentit Lukashenko por ky diktator i fundit komunist i Europës e përdori ngjarjen duke e konsideruar si një tentativë për të destabilizuar Bjellorusinë. Në të vërtetë shpërthimi i fortë në metronë e Minskut mund të konsiderohet një akt shumë i rëndë për Bjellorusinë ku humbën jetën dhjetëra të pafajshëm dhe qindra të tjerë u plagosën rëndë. Por ky sulm i rëndë tërhoqi edhe njëherë vëmendjen e opinionit publik botëror mbi Bjellorusinë dhe qytetarët e saj.
Ky shtet, pothuajse në zemër të Europës që kufizohet me shtete anëtare të Bashkimit Europian si Lituania, Letonia dhe Polonia, në veri me Rusinë dhe në jug me Ukrainën vazhdon të udhëhiqet, tashmë, prej shumë e shumë vitesh, nga njeriu që konsiderohet si diktatori i fundit i kontinentit, Aleksander Lukashenko. Po aq interesant është dhe fakti, se në Bjellorusi ekziston ende Kgb famëkeqe që ndodhet në qendrën e Minskit dhe e cila është e njohur me nofkën “Amerikanka”. Askush nuk e di me saktësi –shkruajnë gazetat perëndimore - sesi ky kompleks e ka fituar këtë emër, por të gjithë  e dinë se ai është një vend i tmerrshëm. Nga jashtë duket si një objekt i pafajshëm por në të vërtetë është një kafaz për të burgosurit e fundit politik të Europës, dhe epiqendra e shtypjes të diktatorit të fundit të kontinentit, Aleksander Lukashenko, president i Bjellorusisë i cili qeveris vendin me grusht të hekurt që prej pavarësisë të vitit 1991. Flitet se në qelitë e Kgb  torturohen dhe  masakrohen akoma njerëz të pafajshëm.
Po kush është njeriu i cilësuar nga shumë perëndimorë si diktatori i fundit komunist i Europës? I lindur në Republikën Socialiste të Bjellorusisë në vitin 1953 që në moshë të re futet në politikë, duke shërbyer edhe në armatën sovjetike. Pas rënies të bllokut sovietik u zgjodh, në fillim, në Këshillin Suprem të të sapokrijuarës Republikë dhe pastaj në Presidencë. Që prej vitit 1994, sipas organizatave për të drejtat e njeriut, Lukashenko ka shkelur të drejtat  më themelore të njeriut: të drejtën e lirisë së shtypit dhe lirinë e shprehjes. Shumë organizata jo qeveritare për të drejtat e njeriut akuzojnë Lukashenkon se përdor ende torturën. Duke lënë mënjanë problemet e shumta ekonomike të Bjellorusisë, shqetësimet dhe problemet e shkaktuara nga Çernobili, popullsinë e saj të përbërë nga 78% bjellorusë ose rusë të bardhë, por edhe nga rusët 13 %, pa harruar polakët me 4% dhe ukrainasit 3 %, por edhe pakicat e hebrenjve dhe tatarë, integrimin e saj të madh ekonomik me Rusinë prej nga ku vjen dhe lënda e pare, duket se problemi kryesor i bjellorusëve është Aleksander Lukashenko.
Vetë intelektualët bjellorusë do të kërkonin ndihmën e perëndimit duke u shprehur se: “Minsku është vetëm dy orë fluturim larg Londrës. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar duhet t’i japë një sinjal të fortë popullit bjellorus, për t’i thënë se nuk është vetëm. Ne nuk kemi gaz, nuk kemi naftë, nuk kemi asgjë që të paraqesë një interes gjeopolitik për vende si Britania. Por jemi një popull: mos prisni të na shikoni të vritemi në rrugë për të na dhënë ndihmë”.
Shihet qartë se kjo Republikë Presidenciale, me një sipërfaqe prej 200 mijë km, me një popullsi afro 10 milionëshe, në të cilën flitet gjuha bjelloruse dhe ruse, ku 80% e popullsisë është ortodokse, ndërsa 20% janë të krishterë katolikë,  eksportues i prodhimeve mekanike dhe kimike, në të cilën  borxhi i jashtëm kap shifrën  800 milionë, dhe që shpenzon 4% të GDP për qëllime ushtarake, udhëhiqet me një dorë të hekurt prej  diktatorit të fundit të kontinentit, Aleksander Lukashenko. Por ndërsa nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian është rritur presioni mbi Bjellorusinë e Lukashenkos nga ana tjetër Rusia është përpjekur të lidhet akoma dhe më shumë me këtë vend. Në 1996 dy shtetet arritën në një marrëveshje bashkëpunimi për koordinimin e politikës së jashtme dhe për mbrojtjen duke menduar edhe për një monedhë të përbashkët.
Natyrisht e përbashkëta e dy shteteve  është  historia e tyre. Bjellorusia ka qenë e banuar nga popullsi me origjinë sllave dhe gjatë mesjetës ka qenë shpeshherë e ndarë në shumë principata. Në vitin 1240, u aneksua nga Lituania pas shkatërrimit që tartarët i bënë qytetit të Kievit që asokohe ishte qendra e fetare dhe kulturore e sllavëve. Vetëm një shekull e gjysmë më vonë i gjithë territori bjellorus por edhe ai i Lituanisë u aneksuan nga Polonia saktësisht më 1386. Më 1812, forcat franceze të komanduara nga Napoleoni pushtuan tokat bielloruse të cilat u shkatërruan nga vetë rusët gjatë tërheqjes së tyre duke e varfëruar tejet këtë zonë dhe duke nxitur edhe emigrimin bjellorus drejt Siberisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pak më vonë, vihen në lëvizje radikalët nacionaliste të cilët shpallin në vitin 1918 Republikën Demokratike Bjelloruse, por që 1 vit më vonë kjo Republikë do të merrej prej bolshevikëvë. Por në vitin 1921, nëpërmjet Traktatit të Rigës Bjellorusia i kalon Polonisë. Do të kalojnë disa vite, në 1939, dhe Rusia rimerr Bjellorusinë duke e dyfishuar territorin e saj. Gjatë Luftës së Dytë botërore, në qershor 1941, gjermanët pushtojnë territorin e saj të cilin e lëshojnë në vitin 1944. Pas konfliktit,  me traktatin mes Polonisë dhe Rusisë në 1945, modifikohen kufijtë në favor të Polonisë duke patur ndryshime nga ajo që ishte vendosur në Jaltë. Në të njëjtin vit Bjellorusia anëtarësohet si anëtare e OKB.
Historia e Bjellorusisë e gërshetuar shpeshherë me atë ruse, ka nxitur, në ditët e sotme Lukashenkon, për të krijuar marrëdhënie të mira me Rusinë. Është Lukashenko ai që nxiti bashkimin doganor dhe si rrjedhojë edhe atë ekonomik me Rusinë. Por nëse marrëdhëniet me Rusinë mund të konsiderohen shumë të mira, marrëdhëniet ndërkombëtare, sidomos pas zgjedhjeve të 1996, pësuan një rënie dhe Këshilli i Europës nuk e njohu Parlamentin bjellorus.
Interesant është fakti  qershorit të vitit 1998, kur Lukashenko i njofton 22 diplomatëve të huaj të largoheshin nga rezidenca e lagjes Drozdy e deklaruar si pronë Presidenciale me pretekstin “për punime urgjente hidraulike”. Një kundërpërgjigje e fortë erdhi edhe nga vendet e prekura nga ky vendim të cilat e akuzuan diktatorin e fundit komunist të Europës se po shkelte konventat ndërkombëtare në raportet diplomatike duke tërhequr ambasadorët. Si rrjedhojë, Bashkimi Europian u kërkoi diplomatëvë bjellorusë të kufizoheshin në spostimet e tyre në territorin e BE ndërsa Shtetet e Bashkuara  të Amerikës i kërkuan Ambasadorit bjellorus në Uashington “të mos kthehej nga pushimet”. Kjo krizë u përzgjat deri në fillim të  vitin 1999, kur të gjithë ambasadorët u kthyen në rezidencat e tyre.
Por kulmi do të vinte në kohën kur Lukashenko do të bënte betimin e tij me marrjen e detyrës së Presidentit, betim ky i kryer në gjuhën bjelloruse, “duke marrë detyrën e Presidentit të Republikës së Bjellorusisë, betohem solemnisht dhe besnikërisht se do i shërbej popullit bjellorus, se do të respektoj dhe do të mbroj të drejtën e lirisë të qytetarëve, se do të respektojë dhe do të mbrojë Kushtetutën e Bjellorusisë, dhe do të ushtrojë detyrën, që më prêt, sipas ndërgjegjes”, në pallatin e Republikës në Minsk përballë anëtarëve të Asamblesë Kombëtare ku do të mungonin 32 përfaqësues të vendeve perëndimore të ftuar të merrnin pjesë në këtë ceremoni. Në po atë ditë, në mënyrë demonstrative, përfaqësuesit perëndimorë morën pjesë në një konferencë ndërkombëtarë që u zhvillua në Vilnius për të ardhmen e Bjellorusisë dhe problemet që sillte diktatori i fundit komunist i Europës, Aleksander Lukashenko.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›