E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpëtim Duro: Ngjarja në Vlorë, një turp i vërtetë

Deklarata

Trajneri i Besës, Shpëtim Duro, nuk e ka kaluar lehtë humbjen në Vlorë. Ai e ka komentuar si një turp disfatën 1-0 përballë Flamurtarit, në një sfidë ku është regjistruar shumë tension dhe janë parë vendime nga më të çuditshmet të “xhaketave të zeza”. “Ajo që ndodhi në sfidën me Flamurtarin ishte një turp i vërtetë”, tha ish-ndihmësi i Oto Bariç në stolin e përfaqësueses shqiptare. “Episodi i regjistruar në çastet e fundit të pjesës së parë ishte qesharak. Të gjithë e panë çfarë ndodhi: Gjyqtari Sadiku akordoi 11-metërsh pasi u konsultua me anësorin dhe ka nxjerrë me karton të kuq mbrojtësin që kapi topin me dorë (Gramin). Por, pas 20 minutash presion nga vendasit vendimi është kthyer dhe arbitri akordoi vetëm goditje këndi. çudia vazhdon edhe më tej, kur në pjesën e dytë, gjyqtari nuk lejoi futbollistin e ndëshkuar me karton për penalltinë e mohuar të vazhdonte lojën”. Më tej Duro shpjegoi vendimin e skuadrës për të hyrë në fushë në pjesën e dytë, ndërsa nuk kurseu presidentin e Flamurtarit, Shpëtim Gjika: “Ne vazhduam ndeshjen pas vendimit të presidentit Bizhdili, për të respektuar publikun, tifozët dhe njerëzit që e duan futbollin. Megjithatë, ajo që ndodhi ishte e papranueshme, mbi të gjitha kur njerëzit e veshur me pushtet, si kryebashkiaku Gjika hyjnë në fushën e lojës dhe i ushtrojnë presion arbitrave që të kthejnë vendimin”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›