Skandal në Vlorë, Besa humbje që djeg
Takimi pezullohet disa minuta, stafet teknike por edhe drejtuesit e klubeve pushtojnë fushën: dhunë verbale dhe presion ndaj “xhaketave të zeza”
Kavajasve u mohohen dy penallti, gjyqtari ndryshon tri herë vendimin për një episod
Besa humbet 1-0 në fushën e Flamurtarit dhe dorëzohet virtualisht në garën për titull. Kavajasit nuk arrijnë të ngushtojnë diferencën me Dinamon kryesuese, e të shpresonin në një hap fals të bluve, megjithatë, ajo që “djeg” më shumë është mënyra si ka ardhur disfata në Vlorë. Takimi i zhvilluar dje në mesditë është karakterizuar nga polemikat dhe kaosi në fushën e lojës dhe ndërprerja 12-minutëshe, ku protagonist u bë gjyqtari Remsi Sadiku. Gjithçka ka ndodhur në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, me “bilbilin” kryesor që ka ndryshuar tri herë vendimin për të njëjtin episod. Një aksion i lojtarëve të Besës është ndërprerë me dorë në zonë, por arbitri fillimisht ka akorduar vetëm goditje nga këndi. Vendimi nuk është pritur aspak mirë nga lojtarët dhe stafi teknik i verdhezinjve, të cilët kanë protestuar gjatë në fushën e lojës. Kontestimet e kavajasve sollën një konsultë të Sadikut me vijërojtësin dhe vendimi pasardhës ishte penallti në favor të miqve, që në ato momente ishin në dizavantazh pas golit të shënuar nga talenti Ardit Shehaj kur kronometri tregonte 13 minuta lojë. 11-metërshi i akorduar për kundërshtarët dhe kartoni i kuq për Elton Gramin, ka sjellë radhën e kuqezinjve për të protestuar. Në fushë, përveç lojtarëve dhe stafit teknik, kanë hyrë edhe drejtori sportiv, Geri çipi dhe presidenti i klubit, njëkohësisht edhe kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika. Pas debateve dhe presioneve të vazhdueshme, gjyqtari e ka ndërruar përsëri vendimin, duke drejtuar gishtin nga goditja e këndit. Në situatën e krijuar, lojtarët e Besës kanë dalë nga fusha e lojës, ndërsa skuadra ka zbritur në fushë për zhvillimin e pjesës së dytë vetëm pas ndërhyrjes së presidentit Nexhat Bizhdili. çudia vazhdon në pushimin mes pjesëve: edhe pse ka kthyer vendimin për penallti, arbitri Sadiku nuk ka lejuar futjen e Gramit në fushë, duke bërë që vendasit të luanin në inferioritet numerik në 45 minutat e mbetura. Ndeshja ka vazhduar e tensionuar, me të besuarit e Duros që kanë kërkuar dëshpërimisht barazimin. Në minutën e 85-të, nga loja, me kartonin e kuq është larguar edhe Dragusha, për një faull si lojtar i fundit. Episodet e diskutueshme nuk kanë munguar as në sekondat shtesë: në të 92-n, Xhafaj pengohet në zonë, por për gjyqtarin nuk ka faull. Kavajasit vazhdojnë protestat e ashpra, madje ashtu si në pjesën e parë largohen nga fusha pa pritur fërshëllimën e fundit të takimit. Me rezultatin e djeshëm, edhe pse mes polemikave, Flamurtari merr tri pikë shumë të rëndësishme në luftën për mbijetesë. Tashmë vlonjatët e drejtuar nga Gugash Magani ngjiten në vendin e dhjetë në renditje. Në anën tjetër, Besa jo vetëm që nuk arrin t’i afrohet Dinamos, por tashmë rrezikon të humbasë edhe vendin e dytë (nëse Tirana fiton në derbin e sotëm).
Në takimet e tjera, Teuta barazon pa gola në fushën e Laçit dhe ngjitet në kuotën e 26 pikëve në 18 takime. “Djemtë e detit” i rrëmbejnë Apolonisë vendin e katërt, duke përfituar nga humbja 1-0 e fierakëve në fushën e Gramozit. Për kolonjarët, vendimtar ishte goli i realizuar nga mbrojtësi Klodian Semina, vetëm 4 minuta përpara mbylljes së pjesës së parë të lojës. Fitore shumë e rëndësishme ajo që Kastrioti regjistron në Korçë: në temperaturën 4 gradë nën zero, krutanët marrin tri pikë falë golit të Abazajt, përballë Skënderbeut që ka luajtur me një skuadër plotësisht të re.
#