Tafaj provokon derbin: Fitorja, për ti kujtuar Dinamos pikët e pamerituara
Trajneri
Drejtuesi i stolit bardheblu kërkon të kthejë dominuesit absolutë të Superiores me këmbë në tokë
Vetëm pak orë përpara se skuadrat të zbresin në fushën e lojës, Alban Tafaj ka nxehur atmosferën e derbit kryeqytetas. Tirana do të kërkojë fitoren përballë Dinamos, jo vetëm për t’i rrëmbyer Besës vendin e dytë në klasifikim, por më tepër për dinjitet. Ndër të tjera, drejtuesi i stolit bardheblu ka theksuar se tri pikët në supersfidën e javës së 18, do të shërbejnë për t’i kujtuar kushërinjve-rivalë pikët e fituara mes polemikave. “Më tepër sesa një sfidë për të shpresuar ende te titulli dhe për të përmirësuar pozitat tona në klasifikim, kjo ndeshje do të shërbejë për të zbritur Dinamon me këmbë në tokë. Fitorja e Tiranës nuk do të shërbejë për të zbritur nga froni kundërshtarët tanë, por për t’u kujtuar atyre pikët që kanë marrë pa merita në këtë sezon. E kam fjalën për ato pikë që Dinamo i ka fituar me të gjitha mënyrat, duke përfshirë këtu edhe gjykimin”, deklaroi Tafaj. “Në fakt, me diferencën aktuale që kemi, ne e shohim më shumë si një ndeshje për dinjitetin e këtij klubi. Kërkoj maksimumin nga lojtarët që ne të marrim trepikëshin”.
Më tej, trajneri i Tiranës ka folur edhe për pikat e forta të kundërshtarëve, që janë padyshim trajneri Shkëlqim Muça dhe sulmuesi i Kombëtares, Elis Bakaj. “Për Muçën kam respekt të veçantë: ai nuk është vetëm ish-trajneri im, por një person që për vite me radhë ka dhënë kontribut për Tiranën. Ai është një dhelpër e vjetër, e pavarësisht se e njeh mirë skuadrën time, mendoj se do të triumfojmë prej karakterit që kemi, vazhdoi Tafaj. Bakaj? është lojtari që arrin të bëjë diferencën te Dinamo, por më tepër sesa elementët e veçantë, rivalëve u trembem për kolektivitetin. Gjithsesi ky është një derbi, ndeshje të tilla nuk vendosen nga kualiteti i skuadrave, por nga karakteri dhe dëshira që ato shfaqin në fushën e lojë për të arritur fitoren. Jam i bindur se për cilësinë e lojtarëve, kemi skuadrën më të mirë të kampionatit”. Pas ndërhyrjes së presidentit Halili, i cili i ka dhuruar stadiumit “Qemal Stafa” një gjenerator, derbi do të luhet në orën 18.00 me drita. Rreth kësaj, Tafaj deklaroi: “Falë presidentit tonë bëmë të pamundurën që ndeshja të luhej me drita. Për spostimin nuk ka lidhje derbi i Milanos në Serinë A, ne donim që derbi i Tiranës të luhej në këtë orar për hir të fansave të shumtë që ka ekipi ynë. Përfitoj nga rasti për t’i bërë të gjithë popullit bardheblu thirrje që të vijë në stadium dhe të na mbështesë”.
#