E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpëtim Gjika, propagandë terrori në Vlorë pasi e kërcënuan me burg

17-08-2013 / Gazeta 55

Qeveria miratoi dje edhe disa vendime të rëndësishme për legalizimin. Në fjalën e tij, kryeministri Berisha iu referua situatës në Vlorë, ku theksoi se Shpëtim Gjika po prish edhe ndërtimet me leje, pasi e kanë kërcënuar me burg, Rama dhe Kokëdhima. “Siç e shihni, në zonën e bregut, veçanërisht në Vlorë, kryetari i bashkisë Shpëtim Gjika, i cili ka katër muaj që nuk u jep rrogat punonjësve të bashkisë së Vlorës, sepse i ka shpenzuar fondet për fushatë, i kërcënuar në të gjitha format nga piktori dhe Koço Kokëdhima, kap rruspat dhe thotë se nuk pyes për ligje dhe vendime gjykatash. Të sqarojmë qëndrimin tonë. Kjo qeveri do të mbështesë deri ditën e fundit, çdo veprim ndaj çdo ndërtimi pa lejë kudo që të jetë dhe kjo nuk ka asnjë diskutim. Zoti ministër i Brendshëm, do të përdoret e gjithë forca e ligjit dhe nuk do të ketë njëri  që t’i prekë kujt shtëpinë me leje. Ligji do të mbrojë qytetarin me çdo çmim, njëlloj sikur të jetë institucion publik. Në qoftë se do që të prishësh një shtëpi me leje, mund ta bësh pa asnjë vështirësi, por ka procedura dhe procedurat janë shumë të njohura, shtetëzim, shpronësim, por jo banditizëm. Edhe i ke dhënë lejë, edhe thua ta prishësh. Edhe njëherë, nuk mbrojmë asnjë ndërtim pa leje, as edhe një të vetëm, por këtë që  bëjnë për qëllime hesapesh njëri me tjetrin, këtë nuk do të mund ta bëjnë kurrë në kurriz të qytetarëve. Ndaj kërkoj që të gjitha agjencitë, në çdo rast të mos lejojnë që askush të prishë qoftë edhe një ndërtesë të vetme me leje. Kryetari i bashkisë dhe cilido që do ta prishë atë duhet ta prishë mbi bazën e rregullave ligjore, si në çdo vend të botës, e shtetëzon, e shpërblen, e prish. Do të krijojë shesh, do të krijojë rrugë, do të krijojë qendër të madhe apo ndërtim tjetër, ne këto nuk i pengojmë, por mesa po shoh unë, kjo është një propagandë terrori që bën Shpëtim Gjika, sepse e kanë kërcënuar me burg dhe diku ia kanë kapur fijet”, u shpreh kryeministri Berisha. Sipas tij, Rama e bën këtë sepse ka premtuar malin e Dajtit dhe mali po pjell një mi dhe po mbetet mashtrim. Kryeministri solli në vëmendje edhe premtimet e fushatës elektorale, të cilat rezultuan mashtrime. “Premtoi parajsën, erdhi me premtime antiglobaliste dhe tani përpiqet të mërmërisë. U premtoi legalizim falas dhe po ofron rruspat edhe për ata që janë legalizuar. Premtoi shërbim shëndetësor falas, vuri Ilir Beqjen për të pasur shërbim shëndetësor vetë ai falas, se tjetër kush në Shqipëri, përveç Beqjes, nuk ka për të pasur shërbim falas. Premtoi se do të hiqte taksat për 95 përqind të shqiptarëve, i harroi. Pra, bëri një zhurmë të tillë, të stilit të vjetër, që njerëzit të mos mund të ngrenë kokën kundër atyre, për premtimet, por kjo nuk do të ndodhë. Ushtrimi periodik i terrorit është tipar absolut i regjimeve ideologjike. Ju nuk mund ta merrni me mend sesi një baba me tetë fëmijë u burgos të nesërmen në mëngjes, vetëm se i tha një shoku të vet gjatë udhëtimit se sonte nuk kam se çfarë t’ju jap fëmijëve të mi, vetëm po zjeva opingat e mia. Ai ishte për terror. Edhe këto nuk pyesin për lejen. Por janë një seri legalizimesh, të cilat me forcën e ligjit nuk do të mund të preken. Do të mund të preken sipas ligjeve të shtetit, me vendimet përkatëse për shpronësim, dëmshpërblim, siç është rregulli në çdo vend demokratik dhe në çdo vend të lirë ku funksion ligji”, deklaroi kreu i qeverisë, Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›