E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intensifikohet lufta civile në PS - Edi Rama kërkon mbështetje elektronike kundër grupit të bashkiakëve Dako-Gjika & Co

17-08-2013 / Gazeta 55

Kryeministri në ardhje vazhdon sulmet kundër kryebashkiakëve të PS, të cilët i sheh si pengesa kryesore për bizneset e tij private. Me një thirrje publike, ai kërkon të mbledhë denoncime për të gjithë bashkiakët e tij, si mënyra e vetme për t’i mbajtur nën shantazh

Ajo që dukej si përplasje inatçorësh, ka kapërcyer çdo prag të mosmarrëveshjeve të Edi Ramës me kryebashkiakët e PS në zonën e bregdetit. I pari që kryeson hierarkinë e sulmeve të përditshme të kreut të PS, është kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, i ndjekur nga ai i Durrësit, Vangjush Dako dhe për tu pasuar me Stefan Çipën e Sarandës. Si katalizator për operacionet denigruese kundër tyre, është angazhuar Koço Kokëdhima i cili po shfrytëzon një vizitë përgjatë rivierës dhe nga ku po denoncon përditë batërdinë e bajraktarëve të vegjël socialistë, siç i quan ai. Nga ana tjetër, Shpëtim Gjika i përgjigjet dhunës verbale të kryetarit dhe nënkryetarit të PS, me shembjen e ndërtesave, me leje dhe pa leje, duke konsumuar kështu dyfish një vepër penale. E para, që ka “lejuar” betonizimin pa kriter të bregdetit, duke bërë një sy qorr dhe një vesh shurdh ndaj babëzisë së ndërtimit, dhe e dyta që, pjesë e aksioneve për shembjen e ndërtesave pa leje, janë bërë edhe ato të legalizuara tashmë. I gjithë ky nxitim dhe sjellje vulgare shpjegohet me faktin e kërcënimit të hapur të eprorëve të PS, të cilët duan t’i zhvasin njësitë vendore edhe pas zgjedhjeve dhe forma më e mirë për realizimin e saj, është duke i vënë drejtuesit nën një presion të egër. Është e faktuar tashmë se Bashkia e Vlorës s’ka paguar pagat e punonjësve të saj prej 4 muajsh, si pasojë e tejfryrjes së administratës para zgjedhjeve dhe depozitimit të shumave të mëdha financiare (të ardhura nga taksapaguesit shqiptarë) në buxhetin e Partisë Socialiste për blerjen e votave të 23 qershorit. Këto para s’do kthehen më kurrë në buxhetin e bashkisë dhe Bashkia e Vlorës është e pafuqishme tashmë që tu kryejë shërbimet qytetarëve. I njëjti fenomen haset edhe në bashkinë e Durrësit, Korçës dhe së fundmi edhe atë të Elbasanit. Njësitë vendore të drejtuara nga PS janë në prag të shpalljes së falimentimit. Kjo padyshim që i intereson Edi Ramës pasi me zhbërjen e këtyre oligarkëve të pasuruar përmes varfërimit të buxhetit të bashkive, ai katapulton në to grupin e tij besnik të klientelës dhe kështu nis një biznes të ri me ortakë të rinj, sidomos përgjatë vijës bregdetare, ku po investohet fuqishëm Koço Kokëdhima me të gjitha format e tij të spekulimit. Sot kemi të bëjmë me një situatë të paprecedentë, por që direkt është e orientuar drejt personazheve të lart përmendur, drejtues të bashkive. Për t’i dhënë nuanca edhe më forta politikës së denigrimit të Shpëtim Gjikës dhe Vangjush Dakos, Edi Rama i ka dërguar një mesazh publik qytetarëve të këtyre zonave që të denoncojnë rrënimin e bregdetit nga Gjika – Dako & Co. Mesazhi i Ramës për qytetarët: “StopRrenimit.com është hapësira ku secili prej jush mund të kontribuojë në betejën jetike kundër kancerit të abuzimit me territorin në bregdet - po edhe në qytetin tuaj. Celulari juaj mund të bëhet një armë e pazëvendësueshme në këtë betejë mes inercisë së rrënimit dhe ëndrrës së Rilindjes Shqiptare. Fotot apo videot e marra në vendin e një krimi ndaj pasurisë sonë të përbashkët, të postuara në këtë hapësirë jo vetëm do na ndihmojnë me informacion në kohë reale nga territori por edhe do dekurajojnë ndjeshëm abuzuesit”, thuhet në mesazhin publik, që kreu i PS iu drejton qytetarëve. Pra, kuptohet se përveç ndërmarrjes së aksionit ka edhe qëllime të mirëpërcaktuara për situatat e mëpasme, ku padyshim klientelizmi do pasurohet me figura dhe personazhe të ndryshëm nga Gjika-Dako & Co. Madje këta të fundit janë kërcënuar me burg për veprat e tyre penale dhe s’do ishte çudi që Edi Rama tu faturojë në rrethin e shkeljeve edhe hendekun financiar të bashkive të drejtuar nga ata, para të cilat faktikisht kanë shkuar për interesa elektorale të PS, mjafton që ata t’i binden politikës nevrastike për “lirimin e vendit”, ose e thënë ndryshe, “të hapin krahun pa u ndjerë” se partneriteti në biznes përgjatë bregdetit do bëhet më të tjerë njerëz...

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›