Shpëtim Idrizi Pse jemi jashtë qeverisë
Ndryshimet e fundit të qeverisë dhe mbetja sërish jashtë e PDIU-së krijojnë një ekuilibër të ri, por të paqëndrueshëm të kabinetit Berisha. Marrëdhëniet e PD-së me dy aleatët ish-socialistë, që lenë socialistët në opozitë, LSI-në dhe PDIU-në, bëhen edhe më të kushtëzuara mbas zgjedhjeve të 8 majit. Nga Meta që pret fundin e procesit ndaj tij për të vendosur vetë për praninë apo jo në kabinet, tek Idrizi që e ka refuzuar së fundi këtë mundësi. Me gjasa, ky është kabineti i fundit i zotit Berisha deri në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Presidenti i Republikës nën sulm dhe tërhiqet si zakonisht
Nga: Lorenc Vangjeli, MAPO
Politika nuk është garë sprinti në 100 metra, politika është garë e gjatë maratone. Një garë që kërkon edhe gjunjë, edhe durim, edhe mushkëri të forta. Shpëtim Idrizi është nervoz. Nuk pranon të komentojë lënien jashtë kabinetit qeveritar të partisë së tij, ndonëse një gjë e tillë, të paktën mediatikisht ishte lënë të kuptohej si mision i përfunduar. Në fjalitë e pakta që thotë në telefon, nuk ka zemëratë të drejtpërdrejtë, nuk ka as ankesë, por më shumë ngjan se ka një provokim për një lojë në të cilën nuk është kënaqur me rezultatin e pjesës së parë dhe ka besim se gjithçka mund të përmbyset në pjesën e dytë. Sikur të ishte thjesht çështje sprinti, tashmë do të ishte në kabinet, por duke qenë se është çështje maratone, Idrizi më shumë se i mohuar, ngjan se mohon një vezë aktuale në këmbim të një pule të së nesërmes. I bindur se për një parti me sfond dhe verb nacionalist si ajo që drejton, të qënurit në pushtet, është një domosdoshmëri, njëlloj siç ka bërë deri më tani edhe antonimi i saj, PBDNJ-ja, Idrizi i sotëm në pozitë, në këtë mënyrë, nuk i mbyll çdo derë edhe opozitës së sotme.
Deri këtu, mund të jetë një lojë pushteti. Por përtej këtij fakti, kjo nuk është një histori personale me qejfmbetje personale. Ajo ka të bëjë kryesisht me të ardhmen e një shumice delikate qeverisëse, ekuilibrat e të cilës mund të ndryshojnë edhe në mënyrë krejt të papritur. Për shkak të dy çelësave të artë të kabinetit Berisha, LSI-ja e Ilir Metës dhe PDIU-ja e Shpëtim Idrizit, gjashtë deputetët e të cilave, mbajnë qeverisjen në këmbë. Dhe natyrisht janë e vetmja garanci, të paktën morale, që zgjedhjet e përgjithshme të bëhen në vitin 2013. E përbashkëta e të shkuarës politike të atyre numrave, është ish-përkatësia socialiste, Idrizi në vitin 2009 dhe Meta shumë më herët, që në vitin e largët 2004 kur ai ndërtoi shtëpinë e tij vetjake politike. Kjo rrethanë është një shkak më shumë që çfarë mund të konsiderohet e huaj në shumicën qeverisëse, mund të jetë më e lehtë për të kryer divorc nëse martesa nuk vazhdon më gjatë me dashuri. Në Shqipëri, plagprishësit duhen më shumë se djemtë që nuk janë larguar kurrë nga shtëpia. Doktor Berisha një gjë të tillë mund ta vërtetojë edhe vetë me pjesën e dytë të historisë së tij politike.
Në korrik si në korrik
Korriku i këtij viti ngjan, për arsye dhe shkaqe të ndryshme, si dy pika uji me korrikun e vitit të kaluar. Në vitin 2010, pikërisht në fund të sesionit të verës së Kuvendit, shifrat e shumicës qeverisëse u vunë në një provë reale dhe mjaft të rëndë, e cila u provua si e patejkalueshme. Futja me urgjencë në rend të ditës të një projektligji për Shërbimin Informativ, që synonte largimin nga detyra në mënyrë të butë të shefit aktual të shërbimit, Bahri Shaqiri, kompozoi një shumicë të përkohshme, një shumicë tjetër nga ajo që qeveris. Kryesisht nën dirigjimin e amerikanëve që ishin kundër atij projektligji, votat e LSI-së u deklaruan kundër, po kështu edhe votat e dyshes çame Idrizi e Tahiri, ndërsa ish-zëvendëskryeministri Oketa dhe një ish-deputet demokrat, Paulin Stërkaj, u deklaruan gjithashtu kundër. Ky ishte momenti, që zoti Berisha e pa veten në minorancë dhe u detyrua të bëjë në heshtje një rivlerësim të votave që e mbanin atë në qeverisje. Po atëherë u verifikua mundësia matematike që Meta të bëhej kryeministër me votat e mundshme të PS-së, një mundësi që ai vetë dhe socialistët e hodhën poshtë politikisht duke sjellë thjesht forcimin e paktit të tij me Doktorin. Nga korriku në korrik, ky pakt nevoje reciproke tashmë është shndërruar pothuaj përfundimisht në pakt domosdoshmërie.
Nga kjo distancë një vjeçare, skena politike është pasuruar me elementë të rinj. Një nga të cilët, në këtë korrik, është mbajtja jashtë kabinetit të zotit Meta. Por kjo gjë lidhet kryesisht vetëm me vullnetin e tij dhe me fatin e procesit gjyqësor në të cilin është përfshirë. Meta i ka të gjitha mundësitë, që në përfundim të procesit dhe në varësi të procesit gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij në Gjykatën e Lartë që të vendosë për rikthimin në qeveri. Gjithmonë brenda të njëjtës formulë aktuale, tre poste ministrash, përfshi dhe atë të zëvendësit direkt të kryeministrit. Kushtet e negociatës së dy vjetëve më parë në korrik 2009, kur partia e tij garantoi mandatin e dytë të zotit Berisha janë respektuar dhe mbi të gjitha, distanca e tij me Partinë Socialiste, kryesisht me mtonjësin e pushtetit, zotin Rama, është thelluar edhe më tej.
Në këtë formulë duhet të shtohet dhe fakti jashtëzakonisht i rëndësishëm që vota e LSI-së pati për Tiranën në datën 8 maj dhe pesha që vota e pesë këshilltarëve të kësaj partie do të ketë për katër vjetët e ardhshëm të mandatit të zotit Basha në bashkinë e Tiranës. Qoftë dhe kjo kartë e vetme të ishte në dorë të zotit Meta, vlera dhe pesha e tij specifike për të djathtën bëhet e pallogaritshme: Meta ka në dorë që votat në këshillin bashkiak nga 28 me 27 në favor të Bashës, të mund të përmbysen teorikisht në pikën 23 me 32 në favor të opozitës. Ky çelës për Tiranën mund të hapë derën e çdo digasteri ministror që Meta do të vendoste të kërkonte për veten. Deri në momentin që do ta donte. Ndaj në këtë rast, mes PD-së dhe LSI-së thjesht nuk ka negociatë. Ka një lëvizje në kahun: detyrim e përcaktim si në lojën e vjetër të fëmijëve, në lojën damë.
Çfarë nuk eci me PDIU-në?
Në rastin e PDIU-së, diçka ngjan se nuk ka shkuar mbarë në negociatat mes zotit Berisha dhe zotit Idrizi. Ky i fundit refuzon të komentojë shkaqet, por nuk mohon se ka refuzuar edhe kërkesën e kryeministrit që të bëhej personalisht anëtar i kabinetit. Komunikimi me kryetarin e Partisë Demokratike ka qenë politik dhe konfidencial dhe nuk është politike që ta shuaj unë konfidencialitetin, thotë Idrizi nga jugu i Shqipërisë, ku ndodhet me gjasa, pikërisht për pushime politike. Idrizi gjithashtu nuk mohon dhe nuk konfirmon se në fillim të javës që vjen është parashikuar një tjetër raund bisedimesh me kryeministrin, për të zgjidhur një ngërç mes dy aleatëve partiakë që për momentin janë të domosdoshëm për njëri-tjetrin.
Situata e krijuar me plotësimin e dy vendeve vakante në qeveri, me Halimin tek drejtësia dhe Bumçin tek kultura dhe turizmi, në vend që të mbyllte problemet, ngjan se vetëm sa i ka lënë ato hapur. Kryeministri Berisha e ka pasur të lehtë të zgjidhë njërën nga dy dilemat e tij, por e ka të vështirë të gjejë një zgjidhje për dilemën e dytë. Të dyja ato kanë të bëjnë me dy partitë kryesore aleate të tij që i garantojnë atij vetë numrat në qeverisje. Me LSI-në e ka zgjidhur në emër të tij Meta, me PDIU-në duhet të gjejë ende një zgjidhje.
Logjikisht, ngjan se palët janë po aq afër sa dhe larg gjetjes së formulës që do të kënaqte të gjithë. Pika ku negociata është prishur ka qenë jo emri i digasterit, por emri i ministrit çam që do të pranonte kryeministri. E sigurt është që zoti Berisha ka ngulur këmbë që ministër i tij i ri të ishte vetë Idrizi duke tejkaluar me veten në këtë rast, edhe kundërshtimin e mundsh