E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpëtim Moçka në fokusin e Ajaksit



Portieri i talentuar i Flamurtarit, 17-vjeçari Shpëtim Moçka, mund të bëhet portieri i dytë shqiptar, që mund të luajë për një nga ekipet më të famshme holandeze, Ajaksin e Amsterdamit.
Një i dërguar i “harkëtarëve” do të mbërrijë në Shqipëri në fillim të muajit maj (6 maj) për ta ndjekur në aksion lojtarin e Shpresave. Moçka është duke bërë një paraqitje të jashtëzakonshme me formacionin vlonjat. Portieri u thirr edhe nga trajneri i Kombëtares U-21 për ndeshjen me Maqedoninë (miqësore) dhe Greqinë (zyrtare), por të shtyrë për shkak të pezullimit të Shqipërisë nga FIFA e UEFA. Testimi i portierit, pas vlerësimit të bërë nga i dërguari i Ajaksit, do të bëhet gjatë përgatitjeve verore, pas të cilit, nëse Moçka do të arrijë të bindë drejtuesit, atëherë do të kërkohet të blihet edhe kartoni i tij. Pas Arben Kasollit, i cili ka qenë pjesë e skuadrës së Ajaksit (portieri i tretë i saj), Moçka do të bëhet lojtari i tretë shqiptar që do të luajnë në kampionatin holandez. Aktualisht me FC Groeningen luan kosovari Shkodran Metaj. Për të përmendur është fakti, se para disa vitesh (2003) edhe mesfushori i Partizanit, Gjergji Muzaka, u testua dy herë në Akademinë e të Rinjve të Ajaksit. Skuadra holandeze njihet si një nga prodhuesit më të mëdhenj të talenteve dhe si një nga më produktivet në investimet e saj te futbollistët që premtojnë.

Vata: “Kënaqemi edhe me një pikë”

Fatmir Vata kënaqet edhe me një pikë. Sulmuesi shqiptar i Tus Koblenc në Bundesligën 2 gjermane e konsideron ndeshjen në transfertë kundër Osnabryk një ndeshje aspak të lehtë. “Osnabryk është shumë i fortë në shtëpi, unë do të isha edhe me një pikë i kënaqur”, - tha 36-vjeçari për mediat gjermane. Vata ia dedikoi eurogolin e tij të shënuar javën e kaluar nga goditja e lirë kundër Kickers (1-1) dy ngjarjeve të mëdha. “Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO më ka gëzuar shumë. Por, edhe lirimi i Ramush Haradinaj. Viti 2008 ka qenë një vit shume i mirë për të gjithë shqiptaret, duke paraprire me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës”, - pohoi Vata. Ish-sulmuesi i Arminia Bielefeldit në Bundesliga 1 thotë se ka oferta “Po, kam oferta nga Bundesliga dhe Bundesliga 2. Por, për mua parësore është që në momentin po kaloj momente të mira dhe deri në maj ka kohë për të menduar për ofertat”.
Trajneri i Tus Rapolder, 49 vjeç, dëshiron shumë shpejt të arrijë në kuotën e 40 pikëve. “Janë edhe shtatë ndeshje dhe ne kemi nevojë edhe për tri pikë. Më e mira për ne do të ishte të fitonim në Osnabruk dhe çështja pas 40 pikëve do të mbyllej përfundimisht”. Tus ndodhet në vendin e 8-të në Bundesliga 2 (37 pikë), ndërsa kundërshtari i radhës, Osnabryk, në vendin e 13-të me 31 pikë. Në fakt, fitorja duket e vështirë. Për Tus do të mungojnë shefi i mbrojtjes Matej Mavriç, Goran Sukalo dhe sulmusi shqiptar Njazi Kuqi.

Dhimbje koke për trajnerin, mungon Salihi

Hamdi Salihi bën me dhembje koke trajnerin e ri të nëkampionëvë të Austrisë. Sulmuesi shqiptar, njëherësh edhe golashënuesi më i mirë i SV Ried, do të mungojë për shkak të kartonëve në derbin kundër LASK, në javën e Bundesligës austriake, kur kanë mbetur edhe tre javë për t’u luajtur nga përfundimi i sezonit.
“Ky është një problem i madh. Ndryshime të mëdha në formacionin e Riedit nuk priten, por pezullimi i Hamdi Salihit na kushton pasi dhe alternativat janë të rralla”, - shkruan omnahrichten.at.
Në ndeshjen e fundit kundër Vaker Insbruk të humbur 1-0, Hamdi Salihi u pengua në zonë, por ndërsa shqiptari kërkoi penallti, ai u ndëshkua me karton të verdhë, që solli edhe humbjen e ndeshjes me LASK. Salihi është lojtari i dytë më i aktivizuar në ekipin e tij, me plot 2528 minuta lojë, 12 gola (2 asistë).
Trajneri Stefan Reiter kërkon tri pikë nga ndeshja e shtëpisë, pavarësisht se kundërshtari ka grumbulluar më shumë pikë nga 33 javët e zhvilluara deri tani. LASK Linc ndodhet në vendin e katërt me 52 pikë, ndërsa Ried në të shtatin me 36 pikë, nga dhjetë ekipe që ka Bundesliga austriake.

12 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›