E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpëtimtari i Almerias

Roli i portierit është më shumë se i rëndësishëm për një klub. Këtë e vërteton portieri brazilian, Diego Alves, i cili në katër sezonet e fundit e ka shpëtuar ekipin e tij Almeria prej rënies nga La liga. 25-vjeçari ka statistika impresionuese, të cilat e veçojnë prej portierëve të tjerë. Ai ka 135 pritje këtë sezon, me një mesatare prej 8.4 për ndeshje. Nga Express më 29 dhjetor 2010 në ora 11:38

Portieri i Almerias, Diego Alves, po konfirmohet dita ditës si portieri më i mirë në La Ligan spanjolle. Numri 1 brazilian, përmban mesataren e pritjeve më të lartë në kampionatin spanjoll.

Këtë sezon, Alves ka regjistruar plot 135 pritje në 16 ndeshje, edhe pse pësoi 25 gola. Mesatarja e topave të ndalur ose të devijuar për ndeshje është 8.4. kjo është një statistikë që ia ka mundësuar Almerias që mos të qëndrojë në fund të tabelës, edhe pse situata e klubit, i katërti nga fundi, mbetet e vështirë.

Paradat e Alves, e kanë ndihmuar Almerian që ta evitojë rënien nga La Liga në katër sezonet e fundit. Me këtë rast, portieri ka përfunduar në shënjestër të klubeve të mëdha spanjolle, por edhe atyre evropiane në përgjithësi. Qysh gjatë verës që shkoi, emri i tij ka qarkulluar në listën e skuadrave të njohura si Barcelona, Real Madrid, Sevilla, Manchester United e Inter.

Deri tash, ekipi modest spanjoll ia ka dalë ta mbajë, por kontrata e tij skadon në vitin 2012 dhe është e mundshme që ekipi bardh e kuq të vendos ta shesë, për ta mbushur kasën e klubit. Klauzola e shkëputjes së kontratës së tij është fiks 15 milionë euro.

Alves, i lindur në vitin 1985, është edhe një pritës i mirë i penalltive. Impresionimi i tij i fundit ishte pritja e penalltisë së sulmuesit Kanoute, e cila ia mundësoi Almerias të fitojë në ‘Sanchez Pizjhuan’. Kjo ishte penalltia e 14-të që e pret portieri brazilian, që kur luan në Spanjë.

“Para ndeshjeve, gjithmonë i shikoj videot e lojtarëve që mund t’i gjuajnë penalltitë. Edhe pse jo gjithmonë mjafton kjo, sepse ka raste kur sulmuesit vendosin ta ndryshojnë mënyrën e goditjes”, tha ai. – “Duhet të përqendrohesh në intuitë dhe ta shikosh lëvizjen e gjuajtësit”, vazhdoi Alves, viktimë e të cilit ishin edhe Cristiano Ronaldo e Fernando Llorente.

Ai shton se lojtari që i pëlqen më së shumti kur i gjuan penalltitë është David Villa, sepse gjuan në të dyja anët. Atë e impresionon edhe gjuajtja me qetësi e Messit, edhe pse ende nuk e ka pasur mundësinë që të përballet në penallti me këta dy futbollistë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›