Moratti beson në Leonardon

Presidenti i Interit, Massimo Moratti thotë se puna që e kishte bërë braziliani Leonardo në Milan, sezonin e kaluar, e ka bindur atë që t’ia besojë postin e trajnerit. Pas largimit të ish-trajnerit të Liverpoolit, Rafael Benitez, Moratti e gjeti menjëherë zëvendësin e tij.
“Leonardo është një njeri mjaft inteligjent. Këtë e kam kuptuar që në kohën kur jam takuar me të gjatë kohës sa ishte futbollist”, tha kreu i klubit Nerazzurr për ‘Il Corriere dello Sport’.
“Sezonin e kaluar, në Milan ai e shfaqi se është trajner i madh, i cili mund ta bëjë një punë të shkëlqyeshme”, shtoi ai.
Futbolli ofanziv, të cilin e aplikoi Leonardo sezonin e kaluar, duke i udhëhequr Rossonerët drejt pozitës së tretë, e bindi Morattin që t’i besonte brazilianit.
“Mendoja se ishte një gjë e mirë për fansat që ta njohin emrin e trajnerit të ri para Krishtlindjeve. Mua më duket se është një dhuratë e mirë për ta, tifozët e meritojnë këtë. E kam respektuar dhe admiruar Leon qe disa vjet. Ai ishte i lirë dhe nuk kishim nevojë për negociata të shumta. Unë besoj në Leonardon dhe jam i lumtur që ai është këtu me ne”, përfundoi Moratti.