Shpëtojnë nga shkatërrimi 54 harta-antikuarë

Një nga hartat e dixhitalizuara në Bibliotekën Kombëtare
I shpëtojnë shkatërrimit 54 harta të rralla të fondit të Bibliotekës Kombëtare. Tashmë janë dixhitalizuar dhe janë të shfrytëzueshme nga të gjithë. Përfundimi i këtij procesi të vështirë u bë publik dje në ambientet e BK, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi. Qysh në përshëndetje, drejtori i BK-së, Aurel Plasari, njoftoi prezantimin e mbylljes së një projekti shumë të rëndësishëm. Hartat i përkasin shek. XVI-XVIII, janë realizuar nga hartografë të njohur, si Mercator, Gastaldo, Cantelli, Coronelli, Sanson, Ortellio, Konard etj. Dhe janë pa dyshim burim për studimin e historisë, demografisë, etnologjisë, gjuhësisë shqiptare dhe asaj ballkanike. Projekti i dixhitalizimit është drejtuar nga shefja e sektorit të albanologjisë, Behije Luga, sipas së cilës këto 54 njësi bibliotekare janë një pasuri e vërtetë. Nëse dikur një studiuesi i duhej të merrte leje të posaçme për të punuar për një kohë të kufizuar me këto harta, tani me një klikim në uebsajtin e bibliotekës mund të ketë akses në çdo moment të ditës dhe në largësi, pasi këtë e mundëson prania e tyre në rrjet, tha Luga. Përveç mundësive për studim që ofron dixhitalizimi, ai shpëton edhe origjinalet, të cilat për vetë moshën e tyre, janë dëmtuar jo pak. Por realizimi i këtij procesi nuk ka qenë edhe aq i thjeshtë për specialistët e BK-së, të cilët duhet të kryenin një punë të vështirë në kushtet e mungesës së skanerëve të posaçëm, të cilët lejojnë skanimin e sipërfaqeve të mëdha. Dixhitalizimi i hartave-antikuarë është realizuar brenda një periudhe 3-4 mujore dhe do të vijojë më tej. Mësohet se projekti do të vijojë edhe me hartat, të cilat ndodhen brenda librave apo vëllimeve te caktuara.