E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sozia e Gushit: Dua dëmshpërblim

Nexhat Mulaj, i arrestuar gabimisht në vend të Viktor Gushit

Padia e Nexhat Mulajt: Për shkak të akuzave, nëna pësoi parainfarkt, gruaja shtatzënë dështoi fëmijën.

Kosovari u arrestua për vrasjen e argjendarit, kërkon 100 mijë euro.

Sozia e Viktor Gushit kërkon 100 mijë euro dëmshpërblim për arrestimin e gabuar. Nexhat Mulaj, kosovari i arrestuar për vrasjen e argjendarit Rrapo Sinanaj në tetor 2011, ngjarje, autorësia e së cilës u pranua nga supergrabitësi Viktor Gushi, kërkon 100 mijë euro dëmshpërblim në Gjykatën e Tiranës. Me anë të një kërkesë-padie, Mulaj kërkon dëmshpërblim për qëndrimin e padrejtë për 56 ditë në dhomat e paraburgimit, si edhe për dëmin moral që ka pësuar ai dhe familja e tij nga arrestimi i padrejtë. Sipas Mulajt, për shkak të ngjarjes, nëna e tij ka kaluar një parainfarkt kardiak, ndërsa bashkëshortja ka humbur fëmijën që priste. Kërkesa në fjalë është dorëzuar dje në Gjykatën e Tiranës përmes mbrojtësit të tij ligjor, avokatit Ndue Pjetra. Kërkojmë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë: pranimin e shqyrtimin e çështjes dhe pagesën e dëmshpërblimit në vleftën 100 mijë euro, thuhej në kërkesën e Mulajt në Gjykatë. Nexhat Mulaj u arrestua më 28 tetor 2011, si i dyshuar për vrasjen e argjendarit Rrapo Sinanaj më 21 tetor të vitit të kaluar. Pas arrestimit, gjykata e Tiranës caktoi ndaj tij arrest me burg për 30 ditë për akuzat e vjedhjes me armë me pasojë vdekjen mbetur në tentativë dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit. Ky vendim u la në fuqi më pas nga Apeli, kurse pak ditë më pas Shkalla e Parë pranoi kërkesën e Prokurorisë për të shtyrë me 30 ditë të tjera afatin e mbajtjes në qeli të Mulajt. Në vijim, në 23 dhjetor 2011, Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën për lirimin e tij nga qelia, duke zëvendësuar masën e sigurisë arrest me burg në detyrim për paraqitje. Në kërkesë-padi, avokatët e tij pohonin: Nexhat Mulaj nuk ka marrë përsipër asnjë rrethanë mbi mënyrën dhe mekanizmin e kryerjes së kësaj vepre penale, për faktin se personi në fjalë nuk kishte asnjë lidhje me këtë vepër. Ai në deklarimet e tij ka dhënë shpjegime, duke e mohuar në mënyrë kategorike lidhjen me ngjarjen e ndodhur. Autorësia e vrasjes së argjendarit Sinanaj u pranua nga supergrabitësi Viktor Gushi, pas arrestimit të tij.
ARRESTIMI
Sipas avokatëve të tij, ditën e vrasjes së argjendarit Rrapo Sinanaj, Nexhat Mulaj po kthehej nga puna dhe vetëm ka kaluar rastësisht pranë vendit të ngjarjes. Nexhat Mulaj ishte i punësuar në një firmë kosovare, e cila merret me shtrimin e kabllove të internetit. Më datë 21.10.2011 ka qenë së bashku me punëtorët e tjerë në qytetin e Lushnjës, duke punuar për shtrirjen e kabllove të internetit në një shkollë të këtij rrethi. Si çdo ditë tjetër, e ka lënë punën në orarin e zakonshëm, në orën 17:00, dhe së bashku me kolegët e tij janë grumbulluar në një pikë takimi të parapërcaktuar, në mënyrë që të gjithë punëtorët të ktheheshin me furgonin e firmës në Tiranë (Firma, përveç transportit, u siguronte punonjësve të saj edhe akomodimin në shtëpi me qira). Por, sipas dëshmisë së Nexhat Mulajt, kur janë kthyer në Tiranë, mbas orës 19:00 ka parë punonjës të policisë, të cilët kishin rrethuar vendin e ngjarjes. Por ky fakt nuk i ka tërhequr edhe shumë vëmendjen Nexhat Mulajt dhe ai së bashku me kolegët e tij kanë vazhduar rrugën për në banesën e tyre. Nexhat Mulaj u ndalua dhe arrestua nga policia më datë 28.10.2011, duke u mbajtur nën hetim, thuhej në kërkesë-padi.
DEMI I SHKAKTUAR
Sipas kërkesë-padisë, dëmi moral i shkaktuar tek familja Mulaj vinte si pasojë e situatës së rëndë të akuzave të padrejta dhe të pabazuara në asnjë provë ndaj Nexhat Mulaj dhe në humbjen e shpresës se drejtësia do vihej në vend. E bindur gjithashtu se për shkak të padrejtësisë në akuzë, i biri do të qëndronte në burg në Shqipëri, e ëma e tij, Vaide Mulaj kishte kaluar parainfrakt kardiak. Nga kjo situatë, probleme shëndetësore u pasqyruan edhe tek e shoqja e Nexhatit, e cila për shkak të shqetësimeve lidhur me ngjarjen në fjalë humbi fëmijën e saj. Për shkak të papërgjegjësisë së organeve kompetente të Prokurorisë dhe Gjyqësorit, u akuzua dhe u dënua një i pafajshëm, edhe pse pafajësia e tij u vërtetua më së fundi. Por nga ana tjetër, një nënë rrezikoi jetën duke pësuar një parainfrakt kardiak dhe një grua humbi fëmijën e saj nga një abort spontan, i krijuar nga situata, duke rrezikuar edhe ajo jetën e saj si rrjedhim, citohej në padi.

100 mije euro dëmshpërblim ka kërkuar në Gjykatën e Tiranës Nexhat Mulaj, për dëmin moral që i është shkaktuar atij nga mbajtja në arrest me burg për 56 ditë, për një krim të kryer nga dikush tjetër.

ARMAND BAJRAMI

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›