Shpeton Greqia, eurozona miraton këstin prej 8 miliardë eurosh
Bruksel- Greqia do të marrë këstin e gjashtë të ndihmës ekonomike nga vendet e eurozones. Në këtë përfundim kanë arritur ministrat e financave të zonës euro mbrëmjen e djeshme. Të cilët vendosen t’i japin shtetit grek këstin e rradhes prej 8 miliardë eurosh.
Sipas ministrës së financave austriake, Maria Fekter ky këst i ishte bllokuar Greqisë, derisa ajo të ndërrmerte reformat në vend, gjë të cilën shteti grek duket se e ka bërë, pasi vetëm pak ditë më parë administrata shtetërore shkurtoi 20.000 vende pune.
Eurozona do të zhbllokojë 8 miliardë euro ndihma për Greqinë, ndihmë e cila ishte bllokuar në pritje të zbatimit të reformave ekonomike që Greqia kishte premtuar- tha Fekter.
Nga ana e tij vetë ministri i financave greke, Venizelos u shpreh se Greqia është e motivuar dhe e gatshme që të ecë përpara.
Ne kemi konsensusin e nevojshëm politik dhe unitetin e nevojshëm kombëtar si dhe vendosmërinë për të ecur përpara- deklaroi Venizelos për mediat greke.
Situata e vështirë financiare me të cilën po perballet eurozona do të mbledhe sërish sot në Bruksel krerët e saj, të cilët do të diskutojnë për masat e reja për shpëtimin e euros.
Shkrime të tjera me interes: