Tri mundimet e pamundura të Athinës
Pasi ka kaluar një muaj që prej marrjes së mbështetjes përfundimtare nga vendet e eurozonës mbështetjes përfundimtare nga vendet e eurozonës dhe diçka më pak që prej përfundimit me sukses të qethjes drastike me më shumë se 74% të borxhit të investitorëve privatë dhe institucioneve të tjera borxhmbajtëse të shtetit grek, duket sikur një periudhë qetësie relative (e mirëpritur) ka kaptuar më së fundi tregjet financiare botërore. Kjo periudhë qetësie u mbështet edhe më tej me lajmin se Athina arriti tashmë një marrëveshje me investitorët privatë për riskedulimin e borxhit të mbetur prej 206 miliardë eurosh. Në letër gjithçka tashmë ngjan më e qartë dhe reflekton sigurinë e shumëkërkuar te tregjet e sfilitura financiare. Ristrukturimi më i madh i borxhit sovran në histori duket sikur ka kapërcyer tashmë atë që shumëkush e quante të pamundur.
Në fakt, jo të pakët dhe jo të parëndësishëm ishin ato personalitete që dyshonin në aftësinë e Athinës për të realizuar reformat me tempin dhe cilësinë e kërkuar. Ministri gjerman i Financave, Schaeuble, vetëm disa javë më parë pati shprehur haptazi një skepticizëm të theksuar për seriozitetin e Athinës për të ndërmarrë reforma. Këto reforma, apo më mirë këto kushte të vendosura nga vendet e eurozonës dhe FMN-së, do të mundësonim pagesën e radhës prej 14 miliardë eurosh si dhe më pas disbursimin edhe të 174 miliardë eurove të tjera si pjese e paketës se dytë të shpëtimit për Athinën. Të dyja pagesat pra qenë të kushtëzuara nga eurozona me prova dhe rezultate të qarta të reformave ekonomike.
Pozicioni i ministrit gjerman në fakt reflektonte një qëndrim të mirëfilltë të athino-skeptikëve, të cilët duket se preferonin me mirë një falimentim të kontrolluar dhe eventualisht daljen e Athinës nga regjimi i euro-s, sesa pagesat e nevojshme, të cilat, sipas tyre, nuk po siguronin prova konkrete të reformave ekonomike të qeverisë greke. E, për sa kohë këto prova mungonin, edhe skepticizmi kishte arritur majat.
Sot, megjithëse disa hapa të rëndësishëm janë ndërmarrë, përsëri paraqiten risqe të konsiderueshme në planin afatshkurtër dhe afatmesëm, të paktën deri në vitin 2020, kur sipas skenarëve optimistë, borxhi publik i Athinës duhet të arrijë shifrën ngushëlluese prej 120% të PBB.
Risku imediat është ai politik, i cili natyrshëm është i lidhur me ngjarjet e pritshme politike në Greqi. Në vigjilje të zgjedhjeve parlamentare, të dy liderët politikë kryesorë, Venizelos dhe Samaras, tashmë kanë lenë axhendën e tyre parlamentare dhe po i përkushtohen axhendës politike. Këto zgjedhje, të parashikuara në maj të këtij vit, do të jenë një test shumë i rëndësishëm (por dhe një e panjohur e madhe) për Athinën dhe BE-në. Kjo jo vetëm për faktin se cila parti do të mundësojë krijimin e qeverisë (sondazhet favorizojnë Demokracinë e Re, por jo në atë masë sa ajo të krijojë e vetme qeverinë), por edhe për faktin se sa i vendosur do të jetë ekipi i ri qeveritar për tiu përmbajtur axhendës reformuese të kërkuar nga Trojka. Presioni i opinionit publik është në rritje dhe liderët do të duhet të bëjnë premtimet e rastit, siç ndodh në çdo fushatë elektorale. Vetëm disa ditë më parë, në kongresin e PASOK-ut në Pire, Athinë, Venizelos u qëllua fizikisht nga një delegat i irrituar për politikat shumë shtrënguese ekonomike të qeverisë aktual. Një klimë të tillë acarimi ka përjetuar edhe Samaras për mbështetjen që u ka dhënë reformave të tilla, pavarësisht faktit se ai është në opozitë.
Por, ndërsa Athina e ka të detyrueshme të kapërcejë sfidën e zgjedhjeve të afërme, tri janë sfidat apo mundimet të cilat ravijëzohen në horizont dhe që duken për momentin të pamundura për tu realizuar, për sa kohë Athina duhet të performojë ekonomikisht sipas një skenari që nga shumëkush konsiderohet si një ëndërr e bukur.
Sfida e parë ka lidhje me rritjen ekonomike të Greqisë, apo më mirë me vështirësitë për të arritur këtë rritje ekonomike. Analistët e Credit Suisse parashikojnë që për të arritur objektivin e vendosur nga Trojka (ku FMN luan një rol shumë të rëndësishëm) të reduktimit të borxhit publik në nivelin 120% të PBB deri në vitin 2020, nevojitet një rritje ekonomike mesatare vjetore prej 2,3% e PBB.
Nëse marrim parasysh faktin se vitet 2012 dhe 2013 janë vite të humbura sepse Athina ende përjeton një recesion të thellë ekonomik, atëherë ky skenar bëhet thuajse i pamundur. Në të vërtetë, që nga viti 2008 Greqia ka qenë vazhdimisht në recesion ekonomik. PBB u zvogëlua me 3,3% në vitin 2009, me 3,5% në vitin 2010 dhe në tremujorin e fundit të vitit të kaluar PBB pati një rritje negative me -7,5%.
Veçanërisht shifra e fundit ishte mjaft më e ulët nga çfarë shpresohej vetëm disa muaj më parë. Ndërkaq, efekti financiar i akumuluar që prej vitit 2008 (kriza Lehman Brother) është përafërsisht 20-25 miliardë euro, që PBB i ka humbur gjatë kësaj periudhe.
Që këtu lind natyrshëm pyetja se çfarë ilaçi të magjishëm duhet të gëlltisë Athina për të kaluar nga kjo situatë në atë të një rritjeje të qëndrueshme ekonomike? Papunësia ka arritur nivele rekord nga 7,7% në vitin 2008, në mbi 20%, shifër kjo e publikuar nga FMN-ja vetëm disa ditë më parë. Investimet në aktive të qëndrueshme kanë shënuar rënie dyshifrore që nga viti 2008, ndërsa konsumi publik dhe ai privat kanë rënë respektivisht 8,5% dhe 7%. Duket sikur vendi është në kolaps dhe në këto kushte, të arrihet një rritje mesatare prej 2,3% e PBB në të gjitha vitet në vijim, ngjan tashmë thjesht një mrekulli.
Sfida e dytë, deficiti publik. Që nga viti 2006, Athina nuk realizon dot një suficit primar të deficitit publik të saj. Saldo primare, pra diferenca e të ardhurave me shpenzimet, ka rënë me 10% dhe 5% në vitet 2009 dhe 2010. Por është e kuptueshme që edhe deficiti publik ka lidhje me indikatorin e parë, apo me saktë me detyrimin për të respektuar arritjen e një niveli prej 120% të PBB për borxhin publik në vitin 2020. E pra, për të arritur këtë objektiv, nevojitet që Athina të mundësojë një suficit primar prej 1,7% që në vitin 2013, duke e rritur këtë shifër me mbi 4% nga viti 2014 deri në vitin 2020. Me sa duket, do të nevojitet një mrekulli e dytë për të arritur këtë objektiv.
Ekspertët e Credit Suisse kanë përllogaritur skenarin se çfarë do të ndodhë me borxhin publik grek nëse rritja ekonomike dhe suficiti primar do të reduktoheshin vetëm me një për qind në krahasim me skenarin bazë të sipërpërmendur. Rezultati është i frikshëm: borxhi publik i Greqisë nuk do të zbriste kurrë nën nivelin 150% të PBB, madje as në dekadën 2020-2030. Ky nivel borxhi, me sa duket, do të kërkojë një qethje të dytë, të pashmangshme, sigurisht në kohën e duhur.
Sfida e tretë ka lidhje me sistemin bankar dhe borxhin e akumuluar të tij. Sistemi bankar i Greqisë është prej kohësh në prag të kolapsit financiar. Dhe kjo është e kuptueshme: për një sistem bankar të mbyllur si ai i Greqisë, kur ekonomia është afër kolapsit, edhe sistemi bankar do të vuajë pashmangshmërisht pasojat e krizës. Për me tepër, nëse nuk do të ishte garancia e një financimi prej 100 miliardë eurosh nga ana e Bankës Qendrore Europiane, sistemi bankar grek do të kishte kolapsuar prej kohësh. Sikur kjo të mos mjaftonte, bankat greke po vuajnë hemorragjinë konstante të depozitave. Mbi 40 miliardë euro janë kanë fluturuar nga sistemi për t`u depozituar diku tjetër. Mbas qethjes së borxhit, kësaj humbjeje i shtohet edhe një humbje tjetër reale prej 38 milardësh të tjera në bilancet e sistemit bankar. Analistët kanë vlerësuar se tashmë sistemi bankar ndodhet në një deficit kapitalesh prej 11,4 miliardë eurosh, para këto që dikush duhet t`i rivendosë në depozitat bankare. Po cili ekzaktësisht: shteti apo aksionerët privatë?
Tri mundimet e mëdha të A
