E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA dhe ndryshimet klimaterike

Deborah Jones * 

Sot, Presidenti i SHBA, Barak Obama, do të flasë përpara udhëheqësve botërorë mbi ndryshimet klimaterike gjatë një samiti të posaçëm të OKB-së në Nju Jork, në prag të sesionit të 64-ët të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. 
Shtetet po punojnë fort aktualisht për të negociuar një marrëveshje të re ndërkombëtare për të luftuar ndryshimet klimaterike.
Ndryshimet klimaterike përbëjnë një prej sfidave më të mëdha me të cilat përballet bota jonë sot. Ndikimet e tyre tashmë janë të dukshme dhe pasojat serioze. Deti Arktik po zhduket më shpejt se sa pritej. Nivelet e deteve kërcënojnë të rriten më lart se sa parashikohej më parë. Nivelet e furnizimit me ujë janë gjithnjë e më shumë në rrezik si nga akullnajat që shkrijnë si dhe nga ngjarje ekstreme klimatike, si thatësira dhe përmbytjet. Këto ndryshime kërcënojnë jo vetëm mjedisin, por edhe sigurinë dhe qëndrueshmërinë.
Shkenca dërgon një mesazh të thjeshtë dhe të qartë: të gjitha vendet duhet të punojnë së bashku për të luftuar ndryshimet klimaterike, dhe koha për veprim është tani.
Presidenti Obama e di që Shtetet e Bashkuara duhet të jenë në udhëheqje të përpjekjes globale për të luftuar ndryshimet klimaterike. Ne kemi përgjegjësinë si lëshuesi më i madh historik i gazrave serë. E dimë që pa pakësimin e lëshimeve të gazrave nga SHBA nuk është e mundur asnjë zgjidhje për ndryshimet klimaterike, ndaj SHBA do të marrin udhëheqjen për të ndërtuar një ekonomi të energjisë së pastër të shekullit 21.
Kur flitet mbi ndryshimet klimaterike, Presidenti Obama po i drejton SHBA kah një drejtim i ri. Presidenti i bëri thirrje Kongresit të SHBA të zhvillojë legjislacion të gjithanshëm për energjinë e pastër për të pakësuar lëshimet e gazrave me 14 për qind krahasuar me 2005 deri në vitin 2020 dhe me 83 për qind deri në vitin 2050. Një ligj është miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve dhe po kalon nëpër Kongres. Paketa e stimujve ekonomikë e Presidentit përfshin mbi 80 miliardë dollarë për energjinë e pastër. Dhe, standardet e vendosura së fundi mbi automjetet do të rrisin ekonominë e karburanteve dhe do të pakësojnë lëshimin e gazrave.
Megjithatë, veprimet nga SHBA dhe vende të tjera të zhvilluara nuk mjaftojnë. Për të ruajtur një planet të sigurt dhe të jetueshëm, të gjitha shtetet kryesore lëshuese të gazrave duhet të bëhen bashkë për të ndërmarrë veprime të forta. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të frenuar ndryshimet klimaterike – Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë përllogarit se 97 për qind e lëshimeve të gazrave në të ardhmen do të vijnë nga bota në zhvillim.
SHBA po ndjek një strategji globale për të luftuar ndryshimet klimaterike nëpërmjet procesit të negocimit të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimaterike (UNFCCC),
Forumit të Ekonomive Kryesore mbi Energjinë dhe Klimën si dhe marrëdhënieve kyçe dypalëshe. Sekretarja e Shtetit, Hilari Klinton dhe zyrtarë të tjerë të lartë të SHBA kanë udhëtuar nëpër një numër vendesh kryesore në zhvillim për të thelluar dialogun mbi klimën dhe për të hulumtuar shanse për përparim. Shumë prej këtyre vendeve tashmë kanë ndërmarrë hapa për të trajtuar ndryshimet klimaterike; megjithatë, ka nevojë të bëjnë më shumë.
Për të arritur një marrëveshje të fortë ndërkombëtare dhe për të përballuar sfidën e klimës, nevojitet angazhimi i plotë i të gjitha vendeve. Vendet e zhvilluara duhet të pakësojnë lëshimin e gazrave thelbësisht deri në vitin 2020 mbi një bazë absolute, krahasuar me nivelin bazë të vitit 2005 apo 1990. Vendet kryesore në zhvillim duhet të ndërmarrin hapa për të pakësuar lëshimet e gazrave të tyre deri në vitin 2020 mbi një bazë relative, krahasuar me rrugën e tyre të ashtuquajtur “gjithçka si gjithnjë”. Vendet e tjera në zhvillim duhet të përqendrohen te përgatitja e planeve për rritjen me karbon të ulët – me ndihmë financiare dhe teknike atje ku nevojitet – për të udhëhequr rrugën e zhvillimit të tyre afatgjatë.
Së fundi, një marrëveshje për ndryshimet klimaterike duhet të ketë të bëjë jo vetëm me kufizimin e lëshimit të karboneve, por edhe me sigurimin e një shtegu të sigurt për zhvillim të qëndrueshëm. Për ta lehtësuar këtë rrugë, vendet me kapacitete të përparuara duhet të qëndrojnë të gatshme të zhvillojnë dhe përhapin teknologji në vendet në nevojë.
Nëse punojmë së bashku, përpjekja për të ndërtuar një ekonomi globale me energji të pastër mund të ofrojë shanse domethënëse ekonomike, duke shtyrë përpara investimet, rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës anembanë botës. Dhe, mund të jetë një mjet për të çuar burime energjie te qindra miliona të varfrit e botës. Me mbështetjen e duhur, vendet në zhvillim mund të kapërcejnë fazat e papastra të zhvillimit tek teknologjitë me karbon të ulët dhe shanset për energji të pastër.
Qëndrueshmëria mjedisore është integrale në përkushtimin e SHBA për të mbështetur rritjen ekonomike me bazë të gjerë, mbrojtjen e mjedisit, demokracinë dhe shëndetësinë në Shqipëri. Për këtë qëllim, Agjencia e SHBA për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) përfshin shqyrtimet mjedisore në të gjitha programet dhe aktivitetet e ndihmave për jashtë.
SHBA është e qartë në synimin e saj për të siguruar një marrëveshje të fortë ndërkombëtare dhe kam besim që së bashku mund ta përballojmë sfidën e ndryshimeve klimaterike.
*Zëvendës Ambasadore,
Ambasada e SHBA, Tiranë, Shqipëri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›