Berisha: Koalicioni PD-LSI bëri të mundur rrugën e integrimit. Meta: Koalicioni funksionues, i uroj ditëlindjen Edi Ramës

Kryeministri i vendit Sali Berisha vlerësoi sot bashkëpunimin e dy forcave më të mëdha politike në vend, PD dhe LSI, nëpërmjet qeverisjes së përbashkët, sukseset e së cilës janë evidentuar që 1 vjetorin e parë të lidhjes së aleancës. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, Berisha tha para deputetëve se mazhoranca po e fakton çdo ditë e më tepër objektivin e saj për integrimin e Shqipërisë. “Koalicioni me Lëvizjen Socialiste për Integrim ka arritur të realizojë me seriozitetin më të madh premtimet e tij duke bërë të mundur integrimin. Bëtë që në këtë koalicion të gjejnë veten idealet europiane të shqiptarëve. Koalicioni u quajt koalicioni i integrimit. Unë besoj se këtë kjo mazhorancë po e fakton çdo ditë”- tha kryeministri Berisha. Berisha tha se koalicioni ka përcaktuar veprimtarinë e tij në perspektivë afatgjatë në interesin e qytetarëve shqiptarë. Kryeministri u ndal edhe në zhvillimet ekonomike të vendit si dhe vendimet e fundit të mazhorancës për rritjen e rrogave dhe pensioneve. Ai pohoi se në një kohë që ekonomia botërore përballet me vështirësi serioze, nuk ka se si këto vështirësi të mos ndikojnë ekonominë shqiptare. “Por unë ju informoj se në atë çka është ekonomi reale, kjo ekonomi performon sot më mirë se çdo herë tjetër”- pohoi ai. Kryeministri tha se asnjë vend tjetër nuk ka shënuar rritje të eksporteve si Shqipëria, duke theksuar se ekportet e produkteve shqiptare janë 3-fishuar. “Eksportet Made in Albania për 6 mujorin e parë të 2010-ës janë rritur në 39 miliardë e 545 milionë. Në 6 mujorin e parë të 2009-ës ishin 15 miliardë e 270 milionë , pra janë trefishuar. Në total eksportet kanë arritur 81 miliardë e 751 milionë kundrejt 48 miliardë e 506 milionë që ishin vitin e kaluar”- shpjegoi ai. Duke iu referuar deklaratave të PS-së se qeveria ka bërë krim ekonmik me rritjen e pagave dhe pensioneve, Berisha tha se këto deklarata janë jashtë çdo lloj qendrimi opozitar. Ai i cilësoi ato si një shpirtkazmëri të pashembullt. “Në vend t’i kërkosh qeverisë të bëjë rritje të rrogave dhe pensioneve, të shpallësh se përbën krim ekonomik, nuk e di si mund t’i dalësh para atyre qindra mijëra grave e burrave të thinjur e lodhur që marrin pension shumë më të vogël nga sa meritojnë. Ata u shkrinë një sistem barbar që çdo ditë e hedhin dhe e ngrysin me lot heshtje për pamundësitë që kanë”- pohoi kryeministri. Berisha pohoi se nuk po përdoret asnjë qindarkë nga kursimet për rritjen e pagave e pensioneve. Në mbledhjen e grupit të PD-së, kryeministri Sali Berisha ka folur edhe për ndeshjen Argjentinë-Gjermani të Botërorit 2010. Ai tha se ajo ishte ndeshja më e bukur që unë kisha parë ndonjëherë. “Në dallim nga ju të dashur tifozë unë e kisha të lehtë sepse natyrisht Gjermania dëshmoi shkallën më të lartë të koordinimit dhe përgatitjes fizike, të një mbrojtje të pakapërcyesheme dhe sulmin më të suksesshëm që bëri që Argjentina me gjithë atletizimin e saj të shkatërrohej në fushë. Ky është një kampionat që po shkëlqen me rezultate të papara”- u shpreh kryeministri Berisha.
Meta: Koalicioni funksionues, i uroj ditëlindjen Edi Ramës Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta vlerësoi sot si të suksesshëm koalicionin qeveritar, i cili po përmbush një nga detyrimet më madhore të vendit, plotësimin e standardeve për integrimin. Nr 2 i qeverisë tha se ky koalicion është plotësisht funksional dhe se lidhja e aleancës një vit më parë, përkon me ditëlindjen e Edi Ramës, të cilit Meta tha se i uroj ditëlindjen. “Që nga dita që u shpall koaliconi i imponuar nga votat e sovranit ka treguar se ka qenë një koalicion funksionues. Ka një bilanc pozitiv që ka treguar se fuksionojnë intitucionet qeverisëse dhe ka progres të qartë në raportet Shqipëri-BE. Koalicioni përkon me ditëlindjen e Edi Ramës, të cilit e uroj”- u shpreh ai. Ministri i Jashtëm Meta dënoi sulmin ndaj deputetit serb Miletiç duke pohuar se sulme të tilla synojnë të dëmtojnë imazhin e Kosovës, por edhe të gjithë rajonit. Meta nënvizoi gjithashtu se nuk mund të ketë shkëmbim të territorit Kosovë-Serbi. “E ardhmja e Ballkanit nuk është ndryshimi i kufijve, por heqja e kufijve. Statusi e kufijtë e Kosovës janë të pakthyeshëm. Të gjithë duhet të kuptojmë se duke respektuar kufijtë e njëri tjetrit i afrohemi më shpejt integrimit”- saktësoi zv/kryeministri Ilir Meta. Lidhur me kërkesën e PS-së për të dhënë dorëheqjen pas arrestimit të një punonjësi të Ministrisë së Jashtme në ambasadën amerikane për drogë, Meta tha se do dorëhiqet kur të mbarojë afati kushtetues, pra pas 3 vjetësh. Ai tha se arrestimi i punonjësit tregon se toleranca zero e kesaj qeverie për korrupsionin nuk kursen askënd. “Duhet të përgëzoj organet tona të specializuara për zbatimine ligjit dhe bashkëpunimin e tyre me partnerë amerikanë që konfirmon edhe një herë se për këtë qeveri toleranca zero kundër korrupsionit është e pandalshme dhe nuk do kursehet askush. Ftojmë edhe opozitën të bashkëpunojë për të ecur para në reforma kundër krimit dhe korrupsionit. Dorëheqjen do ta jap kur të mbarojë afati i percaktruar me kushtetutë, pas 3 vjetësh”- u shpreh më tej, zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta.
...