E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpresa Beçaj, qeverisë: Na shtoni numrin e anëtarëve

Kërkesa

Në Gjykatën e Lartë mbarojnë mandatet kushtetuese 9-vjeçare të gjyqtarëve dhe deri në zëvendësimin e tyre kalon një kohë që vështirëson dukshëm plotësimin e kolegjeve përkatëse me numrin 5 të gjyqtarëve pjesëmarrës në gjykim. Përveç 3-mujorit të dytë të vitit 2009, gjatë të cilit trupa gjyqësore ishte në numër të plotë, vitet e fundit ka pasur mungesa periodike minimalisht prej 3 gjyqtarësh, duke rritur ngarkesën në mënyrë të konsiderueshme. Aktualisht mungojnë dy gjyqtarë, pasi dy të tjerë janë zëvendësuar nga Parlamenti. Gjykata e Lartë mendon se numri i anëtarëve aktual është i pamjaftueshëm. Numri total prej 17 gjyqtarësh të Gjykatës së Lartë i përcaktuar me ligjin organik plotëson përbërjen e një Kolegji Penal prej 5 gjyqtarësh dhe 2 kolegjeve civile me nga 5 gjyqtarë secili. Po të shtojmë faktin se hera-herës në Gjykatën e Lartë krijohen mungesa të gjyqtarëve për shkaqe shëndetësore, vizita zyrtare jashtë shtetit dhe shkaqe të tjera, gjendja e funksionimit dhe përballimit të volumit të punës nga Gjykata e Lartë përkeqësohet së tepërmi. Gjykata e Lartë i ka shkruar qeverisë për krijimin e një Kolegji Administrativ pranë Gjykatës së Lartë. Sipas tyre, projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative” i paraqitur për miratim në Kuvendin e Shqipërisë parashikon ankimimin me rekurs në Gjykatën e Lartë të të gjitha vendimeve të shpallura nga Gjykata e Apelit administrativ, njëlloj si për çështjet civile dhe penale. Kjo do ta rrisë së tepërmi volumin e punës së Gjykatës së Lartë. Si zgjidhje e shpejtë dhe me koston më të ulët është krijimi i një Kolegji Administrativ pranë Gjykatës së Lartë, i cili do të jetë i profilizuar dhe i specializuar për të gjykuar konfliktet administrative si shkalla më e lartë e drejtësisë administrative në vend dhe do të përgatisë çështjet për unifikimin e praktikave gjyqësore administrative.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›