Moisiu: Nxitimi për ligjin e SHISH-it, i pakuptimtë
Përpjekja e njëanshme e qeverisë shqiptare për të ndryshuar ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror ka krijuar një situatë serioze në marrëdhëniet e saj me partnerët perëndimorë dhe NATO-n. Ky është leximi që ish-presidenti Alfred Moisiu i bën realitetit aktual të ndërlidhur me nismën për amendimin e kuadrit ligjor për SHISH, i cili ka provokuar reagime të forta nga opozita, por edhe anëtarë të koalicionit qeverisës. “Duke u nisur nga deklarimet e sekretarit të përgjithshëm Rasmussen, por edhe ato të ambasadorit amerikan në Tiranë, Withers, është e qartë se situata është serioze. Duhet kuptuar se me aderimin e Shqipërisë në organizatat ndërkombëtare, ne e kemi dorëzuar një pjesë të sovranitetit dhe për rrjedhojë, edhe konsultimi me partnerët është i logjikshëm dhe i domosdoshëm në këtë rast. Aq më shumë që për sa i përket bashkëpunimit mes shërbimeve sekrete kemi të bëjmë me një çështje shumë serioze dhe të ndjeshme, duke qenë se këto organe kanë përgjegjësi kryesore për luftën ndaj terrorizmit dhe trafikut që janë sot prioritete. Natyrisht, ai që nxiton nuk i del për hair dhe nëse do të vijohet me këmbënguljen për të ndryshuar në mënyrë të njëanshme ligjin, nuk përjashtohet që ne të paguajmë kosto të paparashikuara”, tha për gazetën “Shqip”, ish-presidenti shqiptar. Përmes analizës së vet, ndërtuar kryesisht mbi fakte dhe deklarata të hapura e publike, Moisiu rikonfirmoi atë që është nënvizuar si nga opozita, ashtu edhe nga përfaqësues publikë. Nisma e Kryeministrit Sali Berisha për të rregulluar llogaritë me zyrtarët që kanë mandat të pakufizuar duket se po ushqen kësaj radhe një fërkim serioz me SHBA dhe NATO. Këtu është me vend të kujtohet se në tentativën e parë të Berishës për të modifikuar ligjin, ishte një telefonatë e sekretarit të përgjithshëm të Aleancës, Rasmussen ajo që e mbylli çështjen, duke e lënë atë për një kohë të dytë. Së bashku me deklarimet zyrtare dhe të posaçme të ambasadës amerikane në Tiranë, prononcimi i aleatëve të Shqipërisë u bë i qartë. Për këtë arsye, rikthimi i diskutimit ka krijuar tension të dyfishtë, që nuk ka sesi të jetë alibi e opozitës për të akuzuar shumicën, por mbetet të jetë realitet. I pasqaruar dhe për pasojë nxitës i shqetësimeve për ndryshimet në ligj është anashkalimi i konsultës me NATO-n, që sipas aleatit të Berishës, zv.kryeministrit Ilir Meta, vijon të jetë në proces. Në këtë kontekst, vërejtja e ish-presidentit Moisiu jep një zë më shumë për zbardhjen e pjesës së paqartë të qëndrimeve të Kryeministrit dhe Partisë Demokratike e që ka të bëjë me procedurën e futjes në rend dite në Parlament si dhe me heshtjen rreth nevojës për të pranuar vërejtjet e përfaqësuesve të Aleancës. “Për mua mbetet i pashpjegueshëm nxitimi për miratimin e këtij ligji, i cili sigurisht që ka nevojë të ndryshohet, për vetë nevojat që shtron koha. Deri në muajin shtator, kur nis sesioni i ri parlamentar, na ndan vetëm një muaj, në të cilin konsultimet do të përfundonin dhe drafti i ri do të mund të merrte miratimin pa shkaktuar probleme. E rithem që me aderimin tonë në NATO, ne e kemi dorëzuar vullnetarisht një pjesë të sovranitetit”, deklaroi ish-presidenti Alfred Moisiu.
#