Si gjithmonë Manjola!
Ndërsa ishte pozicionuar në vendin e saj, si kryetare jurie në “Miss Universi Shqiptar”, në Zyrih, që u mbajt një javë më parë, Manjola Nallbani kishte tërhequr sytë e gjithë kureshtarëve.
Të gjithë mezi prisnin çastin që ajo do të ngjitej në skenë.
Dhe para se ajo të këndonte, lëvdatat e komplimentet nuk kishin të sosur edhe prej kolegeve të saj, më të reja, për formën e saj trupore. E, ashtu gjithë elegancë, me një fustan që e nxirrte edhe më në pah këtë, këngëtarja e mirënjohur performoi pak çaste para dhënies së kurorës së Missit.
Ashtu si edhe e prezantoi, organizatori i spektaklit, Ardi Plaku, këngëtarja e tri gjinive klasike, e lehtë dhe popullore qytetare, solli për publikun disa prej pjesëve të saj më të njohura.
“Baresha”, kënga e parë që çeli minutazhin e saj u mirëprit si gjithmonë nga publiku, që e shoqëroi me ovacione, ndërsa këngët popullore qytetare bënë që publiku, e më tej edhe këngëtaret e ftuara në këtë aktivitet, të çoheshin e të kërcenin. Atmosfera u ndez ashtu si edhe pritej, ndërsa Manjola mori me vete një emocion që ta jep si gjithmonë prezenca afër publikut.