E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita kritikon Qeverinë për ndarje të pabarabartë të buxhetit

Gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, në kohën e deklarimeve jashtë rendit të ditës janë ngritur disa çështje, ku nuk kanë munguar edhe kritikat e opozitës në drejtim të Qeverisë së Kosovës.

LDK e kritikoi Qeverinë se me ndarjen e buxhetit po favorizon komunat që udhëhiqen nga PDK-ja, kurse Vetëvendosje pati kritika për mos mobilizim në përballimin e gjendjes emergjente nga të reshurat e borës dhe përsëriti pyetjet politike për kryeministri Hashim Thaçi.

Ishte deputetja, Hykmete Bajrami, e cila në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së ka thënë se të premten e kaluar ka ardhur një dokument në Kuvend, i cili tregon se në cilat projekte Qeveria po shkel ligjin e buxhetit të aprovuar nga parlamentarët.

Sipas saj, ekzekutivi i vendit me disa ndryshime të bëra po favorizon komunat të cilat qeverisen nga PDK-ja dhe po diskriminon komunat e tjera, sidomos ato që drejtohen nga LDK-ja.

“Qeveria ka vendosur të ndërroj buxhetin e 58 projekteve në vlerë prej 8 milionë 327 mijë euro. Vetëm në infrastrukturën rrugore nëpër komunat ndryshimet janë në vlerë 4 milionë e 200 mijë euro. Brenda programit të infrastrukturës vetëm Podujeva i merren 600 mijë euro dhe gjysma e tyre i barten Skenderajt. Po ashtu Prishtinës i merren 1 milion e 350 mijë euro në dy projekte dhe shuma të tjera në projekte të tjera. Nga këto ndryshime komunat e PDK-së janë përfitueset më të mëdha, kurse ato të LDK-së janë të diskriminuara”, ka theksuar Bajrami.

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit të Financave, Bedri Hamza, i cili ka thënë se kjo ministri ka vepruar në përputhshmëri me ligjin për buxhetin.

“Ministria e Financave ka vepruar në përputhshmëri të plotë me ligjin e buxhetit. Ju kisha referuar nenit 7 të Ligjit të buxhetit paragrafi 2 dhe të gjitha ndryshimet janë bërë në harmoni me ligjin 7, paragrafin 2 të Ligjit të buxhetit”, ka theksuar ministri.

Kurse deputeti, Liburn Aliu nga Lëvizje Vetëvendosje ka folur për situatën e rëndë në Kosovë pas reshjeve të borës. Sipas tij, kjo gjendje dhe ky përkeqësim është e qartë se i zuri Kosovën dhe mekanizmat e saj të papërgatitur.

Aliu ka theksuar se deri më tani FSK-ja me mekanizmat e saj të kufizuara po përpiqet që të dal në ndihmë qytetarëve, por sipas tij potenciali i saj sado i vlefshëm është i pamjaftueshëm dhe që kjo të kompensohej do të duhej ndihmë më e madhe nga KFOR-i.

Madje, ai ka kërkuar nga KFOR-i që përveç ndihmës që e ofron përmes billbordave gjithandej në Kosovë do të shihej së paku gjysma e asaj që shihet në billborda.

Po ashtu, deputeti Aliu ka shtuar se KFOR-i do të duhej të demantoj mediumet gjermane, të cilat ditë më parë raportonin për punën e KFOR-it dhe EULEX-it në Restelicë në gjetjen e trupave të pajetë dhe ku FSK-ja nuk përmendej fare.

Për të gjitha këto Aliu ka thënë se është e nevojshme shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme dhe një mobilizim qytetar.

“Të gjitha këto fakte në bëjnë të qartë se e kemi të nevojshëm një mobilizim qytetar për të tejkaluar këtë situatë. Mobilizimi i tillë qytetar na u dëshmua në Restelicë e nëse nga mungojnë sot ndihmat nga të tjerët dhe tenderët për pastrimin e rrugëve nuk po bëjnë punë është e domosdoshme që të ndërmerret diçka më tepër dhe të gjejmë mundësit brenda vetes. Mundësia e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme është atributi i sovranitetit të një shteti dhe si një shtet sovran që e quajmë veten do të duhej bënim një gjë të tillë”, ka thënë Aliu.

Nga ana tjetër deputeti Nait Hasani nga radhës e PDK-së dhe njëherësh kryetar i Komisioni për Bujqësi, ka folur për helmimin e tokës së Kosovës, gjë që sipas tij janë të pavërteta ato që janë shkruar në disa media dhe se ato i bëjnë dëm imazhit të Kosovës.

“Në momentin që u bë publike që në Kosovë paska helmim të tokës nga shtypi i jonë, mendoj që ky shtyp nuk e di kujt i shërben për mua është një vepër terroriste që i ka bërë tokës së Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës, bujqve tanë dhe është me qesh për disa deputetë që nuk ja dinë rëndësinë, sepse pikërisht produktet tona sa e patën marr mundësinë e daljes në treg dhe me këtë i shkatërruat dhe izoluat”, ka thënë deputeti Hasani.

Ndërkohë në kohën e pyetjeve parlamentare gjashtë deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë parashtruar pyetje për kryeministrin e vendit, Hashim Thaçi për takimet me presidentin serb, Boris Tadiq.

Deputetët të cilët kanë parashtruar pyetjet janë, Visar Ymeri, Rexhep Selimi, Glauk Konjfuca, Liburn Aliu, Albulena Haxhiu dhe Afrim Kasolli, por që asnjëri nuk ka marr përgjigje pasi që kryeministri i vendit Hashim Thaçi nuk ishte prezent në sallë. /Kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›