E Shtunë, 31 Tetor 2026

Milani shkatërron Arsenalin

Milani e dominoi Arsenalin duke e mposhtur 4-0 në San Siro, në përballjen e tyre të parë të tetës së finales në Ligën e Kampionëve. Rossonerët me dy gola nga Robinho dhe një nga Kevin Prince Boateng dhe Zlatan Ibrahimoviç përcollën në shtëpi londinezët, anonimë në fushë. Në duelin tjetër, Zenit St Petersburg fitoi 3-2 ndaj Benficas.

Milani i dha leksion Arsenalit duke e mposhtur 4-0 në San Siro, në përballjen e tyre të parë të tetës së finales në Ligën e Kampionëve. Rossonerët dominuan plotësisht ndaj londinezëve dhe siguruan fitore të thellë, e cila ju krijon komoditet para ndeshjes së kthimit në Emirates Stadium.

Milani kaloi në epërsi në minutën e 12-të me një super gol nga mesfushori Kevin Prince Boateng. Pavarësisht avantazhit, vendasit vazhduan të sulmojnë dhe kjo u solli fryt në minutën e 38-të, kur Robinho realizoi me kokë për 2-0 pas një asistimi të bukur nga Zlatan Ibrahimoviç.

Ishte përsëri Ibrahimoviç ai që shërbeu për Robinhon në golin e tij të dytë dhe të tretin për Milanin në minutën e 49-të. Arsenali u mundua të kundërpërgjigjet dhe ishte mjaft afër të shënojë në minutën e 65-të, por goditjen nga Robin van Persie e priti portieri Christian Abbiati.

Londinezët vazhduan të jenë anonimë në fushë, kurse Milani konfirmoi dominimin dhe kompletoi fitoren e thellë 4-0 kur Ibrahimoviç realizoi nga penalltia në minutën e 79-të. Me këtë fitore të thellë, Milanin vetëm ndonjë ‘mrekulli’ e ndan nga kalimi në çerekfinale.

Kurse, në ndeshjen tjetër të zhvilluar të mërkurën mbrëma, dy gola nga Roman Shirkov i dhuruan Zenit St Petersburgut epërsi minimale 3-2 kundër Benficas në ndeshjen e tyre të parë të fazës eliminatore të Ligës së Kampionëve. Skuadra portugeze kaloi e para në epërsi kur Maxi Pereira realizoi në minutën e 20-të.

Vendasit barazuan kur Shirikov e shënoi golin e tij të parë me një volej goditje në minutën e 27-të. Rezultati pas përfundimit të pjesës së parë ishte 1-1. Zenit kaloi në epërsi në minutën e 71-të, kur realizoi Sergei Semak.

Benfica nuk u dorëzua dhe barazoi nëpërmjet Oscar Cardozos në minutën e 87-të. Por, vetëm një minutë më vonë, Shirokov ia siguroi Zenitit fitoren duke shënuar golin e fitores. Kjo ishte fitorja e 50-të e Zenitit në gara evropiane.

1/8 e finales:

Zenit-Benfica 3:2

Milan-Arsenal 4:0

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›