Vazhdon referendumi

Në këtë referendum, që është hedhur poshtë nga institucionet e Kosovës dhe nga ndërkombëtarët, duke u cilësuar si joligjor, serbët e kësaj pjese të Kosovës, deklarohen për raportin e tyre ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës.
Thuhet se në katër komunat në pjesën veriore të Kosovës janë afro 35 mijë votues serbë.
Përgjigjja e veriorëve
Serbët e Veriut iu përgjigjën thirrjes për të votuar në referendum, i cili do të vazhdojë edhe sot në katër komuna të Veriut të Kosovës, të cilat vlerësohen ilegale nga institucionet e Kosovës. Deri në orën 16:00 të ditës së parë, votuan rreth 31.5% e banorëve të këtyre komunave. Qeveria e quajti këtë referendum shkelje të sovranitetit dhe shprehje e ambicies së sëmurë serbe për zhvatje territori.
Me gjithë kundërshtimet nga të gjitha palët, duke përfshirë këtu edhe Beogradin zyrtar, serbët e Veriut dolën për t’u deklaruar nëse i pranojnë apo jo institucionet e Republikës së Kosovës.
Sipas informatave preliminare, deri në orën 16:00 të ditës së martë, numri i përgjithshëm i banorëve të tri komunave të Veriut, Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut dhe Zveçanit, ishte rreth 31.5% apo 8.356 banorë. Votimi do të vazhdojë edhe sot në këto tri komuna, ndërsa për herë të parë votimi do të hapet sot në Leposaviq. Numri më i madh i votuesve ka qenë nga Veriu i Mitrovicës me 3.977 banorë.
Edhe pse rezultatet e këtij referendumi nuk pritet të kenë kurrfarë efekti real apo ligjor, pasojat e tij politike pritet të mbajnë peshën e tyre, sidomos në dialogun Kosovë-Serbi. Liderët e komunave ilegale serbe të Veriut të Kosovës kishin deklaruar një ditë para mbajtjes së referendumit se qëllimi ishte që të forcohej pozicioni i ekipit negociator serb në dialogun me Kosovën.
Në anën tjetër, reagimi i Qeverisë e Kosovës ka ardhur përmes një deklarate për media ku thuhet se ajo shpreh zhgënjimin dhe revoltën e saj të thellë për aktin e fundit të Serbisë lidhur me organizimin dhe mbajtjen e referendumit në pjesën veriore të vendit.
“Ky akt ilegal, i cili do të prodhojë një rezultat ilegal dhe të papranueshëm, në mënyrë të drejtpërdrejtë cenon sovranitetin shtetëror të Republikës së Kosovës. Po ashtu, ky veprim ilegal i Serbisë është në kundërshtim më Kushtetutën tonë dhe të drejtën ndërkombëtare. Për më tepër, ky akt i fundit i Serbisë kundër Kosovës, dëshmon qartë ambiciet e sëmura dhe pretendimet territoriale të Serbisë në raport me Kosovën”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës.
Edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton ka reaguar përmes zëdhënëses së saj, e cila ka thënë se Bashkimi Europian kërkon një zgjidhje për Veriun e Kosovës, të cilën e konsideron “të veçantë” përmes dialogut dhe jo barrikadave apo referendumeve.
Vendimi i të ashtuquajturve kryetarë të komunave të Veriut të Kosovës për të mbajtur një referendum përmes të cilit serbët do të deklaroheshin qartë për refuzimin e shtrirjes së autoriteteve të Republikës së Kosovës është kritikuar edhe nga Beogradi zyrtar.
Presidenti serb, Tadic e ka quajtur këtë lëvizje të serbëve të Veriut si hap që do të reduktojë potencialet e shtetit serb në mbrojtjen e interesave të Serbisë në Kosovë.
“Përpjekjet e shtetit në mbrojtje të interesave legjitime në Kosovë janë duke u penguar në këtë mënyrë”, ka thënë ai.