E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX, misioni më i rëndësishëm i BE-së

Zyrtari i lartë francez, Eric Chavallier, këshilltari i posaçëm i ministrit të Jashtëm të Francës, i tha BBC-së se ndihma e EULEX-it për Kosovën në fushën e rendit dhe të ligjit do të bëhet nën ombrellën e gjerë të Rezolutës 1244. Sipas tij, dallimet në BE rreth njohjes së pavarësisë së Kosovës, kanë shtruar nevojën për ombrellën e OKB-së. Chevallier, i cili ndihmoi në procesin e bisedimeve me Prishtinën për planin gjashtëpikësh, si i dërguar i ministrit të Jashtëm francez, tha se fakti që EULEX-i është shtrirë në gjithë Kosovën është dëshmia më e mirë se ka një perspektivë pozitive për të gjithë në Kosovë. Sipas tij, EULEX, si një mision civil, më i rëndësishmi ndonjëherë nga BE-ja, është sinjal i përkushtimit të Evropës për Ballkanin.

Misioni evropian për drejtësi dhe polici ka filluar punën e tij në gjithë territorin e Kosovës. Është vlerësuar si një fillim i suksesshëm i BE-së. Por ka ende paqartësi rreth mandatit të këtij misioni. Si e shihni këtë problem tani?

Fillimisht, ne besojmë se është një sukses. Në aspekt më të gjerë ne besojmë se është një nga disa sukseset që politikat evropiane të jashtme dhe të mbrojtjes kanë pasur gjatë periudhës së kaluar. Kjo për faktin se EULEX-i është misioni më i rëndësishëm civil që është vendosur ndonjëherë. Por gjithashtu, ka pasur edhe vendosje të një misioni në gjirin e Adenit, që ka për qëllim luftën kundër piraterisë, pastaj misioni i vëzhguesve në Gjeorgji, që u vendos shumë shpejt, dhe gjithashtu misioni më i rëndësishëm ushtarak, që ndonjëherë është vendosur si mision evropian autonom, në Chad, në Republikën e Afrikës Qendrore. Në fakt, kishim katër misione të reja që u krijuan gjatë periudhës së kaluar. Një nga ato është edhe EULEX-i.

Ju thatë se ka ende paqartësi, por kjo nuk është ndjenja jonë. Natyrisht se ka ende pikëpyetje, por kështu ndodh gjithnjë, meqë asgjë nuk mund të shkruhet plotësisht. Nuk ka një paqartësi të madhe, sepse misioni kryesor dhe perspektiva kryesore është të ndihmohet Kosova në fushën e rendit dhe të ligjit nga e cila do të kenë përfitim të gjitha komunitetet në Kosovë dhe gjithandej në Kosovë. Dhe kjo do të bëhet nën ombrellën e gjerë të Rezolutës 1244, që ka për qëllim të mbështesë Kosovën në fushën e rendit dhe të ligjit, dhe për të gjitha komunitetet. Asgjë më shumë e asgjë më pak, shumë e qartë, faktikisht.

Vendi juaj ka qenë shumë i angazhuar në arritjen e një marrëveshjeje për shtrirjen e EULEX-it, në bisedime me Prishtinën dhe Beogradin, por ka mosmarrëveshje mes dy kryeqendrave. Ku është perspektiva e EULEX-it marrë parasysh mosmarrëveshjet rreth statusit?

Kishte një pajtim të Prishtinës dhe Beogradit, që ishte më i rëndësishmi dhe që nënkuptonte mbështetjen për shtrirjen e EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës. Prandaj këto marrëveshje janë shumë më të rëndësishme se sa disa mosmarrëveshje që ende ekzistojnë. Ne e dimë këtë dhe është një fakt politik. Nuk ka asnjë befasi për këtë. Ju e dini se Prishtina dhe Beogradi nuk pajtohen pothuaj për asgjë, prandaj nuk është befasi e madhe. Por ajo që është shumë më e rëndësishme se sa këto mbetje të mosmarrëveshjeve, është marrëveshja për shtrirjen gjithandej të Kosovës, si dhe fakti se edhe Beogradi dhe Prishtina e mbështetën dhe e përshëndetën vendosjen.

Ju keni qenë drejtpërdrejt të angazhuar në procesin, po themi, të ndërmjetësimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, rreth një plani gjashtëpikësh të OKB-së. Por udhëheqësit e Kosovës vazhdojnë ta kundërshtojnë atë. Çfarë u ofron ai plan konkretisht serbëve dhe çfarë shqiptarëve në Kosovë?

Gjashtëpikëshi është diçka që është diskutuar dhe negociuar nga OKB-ja dhe është përgjegjësi e OKB-së. Ajo që ne provuam të bëjmë, që të gjithë ne të tjerët, ishte të ndihmojmë që ta bëjmë të kuptueshme këtë për Prishtinën dhe Beogradin. Ne e dimë se ka ende mospajtim për këtë nga udhëheqja kosovare dhe kjo është marrë plotësisht parasysh edhe në nivelin e OKB-së, por edhe në atë të BE-së.

Kjo është diçka ku nuk ka një vizion të përbashkët të Prishtinës dhe Beogradit por, shumë e rëndësishme, kjo nuk nënkupton se ju nuk e keni të njëjtën pikëpamje të Prishtinës dhe Beogradit rreth kësaj dhe që EULEX-i të mos mund të shtrihet dhe të mos mund të punojë. Ta shohim në praktikë. E dimë se në Kosovë duhet të jemi proaktivë dhe optimistë dhe kjo është rruga e vetme për të parë drejt të ardhmes. Por EULEX-i është vendosur, po punon gjithandej Kosovës. Por ka pikëpamje të ndryshme për këtë marrëveshje gjashtëpikëshe që është negociuar nga OKB-ja. Ky është fakt, por ne mund të ecim përpara.

Ju thoni se EULEX-i do të funksionojë nën ombrellën e Rezolutës 1244. Pse u desh kaq shumë OKB-ja për ta shtyrë EULEX-in. Ai është mision evropian …

Absolutisht, ai është mision i BE-së. Por është gjithashtu një fakt i njohur për të gjithë se për anëtarët e BE-së, megjithëse është një mision plotësisht evropian, me udhëheqje nga BE-ja, ende për një numër vendesh evropiane ishte e rëndësishme të jetë nën ombrellën e gjerë të OKB-së. Ju e dini se disa e kanë njohur pavarësinë e disa ende jo dhe kishte nevojë për të pasur këtë ombrellë të OKB-së. Ky është një fakt.

Megjithëse EULEX-i është shtrirë edhe në veri, ka zëra që thonë se kjo pjesë e ka të vështirë të integrohet në shoqërinë kosovare. Sa mundet EULEX-i tani të ndihmojë në integrimin e pjesës veriore?

Fakti se EULEX-i është shtrirë në gjithë Kosovën është dëshmia më e mirë se ka një perspektivë pozitive për të gjithë në Kosovë dhe se BE-ja, dhe posaçërisht EULEX-i, do ta ndihmojë këtë. Çështja ishte nëse EULEX-i do të vendosej në të gjithë territorin e Kosovës. Por kjo u krye dhe tani kemi personel të EULEX-it në Gjykatën e Mitrovicës, ka njerëz në kufi. Ky është një fakt dhe në vetvete kjo shënon diçka.

Me shtrirjen e EULEX-it në Kosovë a po e merr rolin kryesor BE-ja në Ballkan, marrë parasysh këtu edhe një mision tjetër që BE ka në Bosnjë?

Është e qartë se BE-ja dëshiron dhe duhet, sepse kjo është Evropë, Ballkani është në Evropë. Është plotësisht normale dhe e drejtë që BE-ja të marrë përgjegjësi në Ballkan. Por kjo natyrisht se duhet të bëhet në ndërlidhje me bashkësinë ndërkombëtare si tërësi, që do të thotë OKB-ja dhe aktorët kryesorë, siç është SHBA-ja. Por ne e kuptojmë, e ndiejmë dhe është shumë normale që BE-ja të ketë përgjegjësi specifike në Ballkan.

Në gjashtë muajt e kryesimit me BE-në nga Franca, çfarë mendoni se konkretisht keni arritur në Ballkan në përgjithësi?

Shumë e qartë EULEX-i. Pastaj sinjalet që shumë konkretisht ju janë dërguar vendeve të ndryshme të rajonit se e ardhmja e tyre shtrihet në Evropë. Pra procesi dhe koha do të jenë pjesë e diskutimeve, por perspektiva është riafirmuar dhe kjo është me rëndësi. Por ishte një sinjal për gjithë Ballkanin se e ardhmja e tyre është në Evropë, në njërën ose mënyrën tjetër, me afatin që do të diskutohet me kohë. Kjo ishte me rëndësi. Por natyrisht EULEX-i si një mision, më i rëndësishmi civil ndonjëherë i shtrirë nga BE-ja, ishte sinjal i përkushtimit tonë për Ballkanin.

Ju po thoni se ka edhe data për disa vende për t‘u anëtarësuar në BE, por a do të hyjë Ballkani si tërësi në BE apo shtet pas shteti?

Do të jetë shtet pas shteti. Ju e dini se shtete të ndryshme kanë afate të ndryshme dhe procese të ndryshme të forcimit të lidhjeve me BE-në. Ka çështje që janë ende në tavolinë. Ne e dimë se cili është drejtimi. Ne e dimë se cila është e ardhmja. Tani rruga që shtetet e ndryshme do të marrin në këtë shteg është specifike për secilin vend.

Dhe ku është Shqipëria në këtë proces të anëtarësimit në BE?

Do ta shohim për Shqipërinë dhe për vendet e tjera të Ballkanit. Ta shohim se çfarë do të ndodhë. Por ajo që është me shumë rëndësi është që secili ta shohë se ku jemi sot në Ballkan në krahasim me 10 apo 15 vitet e kaluara. Kjo kohë është shumë e shkurtër. Shikoni në rrugën pozitive që është marrë nga Ballkani në krahasim me atë se ku ishim në periudhën e tmerrshme para 10 apo 15 viteve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›