E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbët konstatojnë "shuarjen" e UNMIK

Vetëm pak ditë mbas hyrjes së misionit civil të EULEX-it në Kosovë, atje ka mbetur vetëm 1 (një) për qind e UNMIK-it, kurse pas një muaji, do të tërhiqet edhe pjesa e mbetur, kështu që atje do të mbesin gjithsej vetëm 30-50 veta me uniforma të UNMIK-ut, konstaton me shqetësim media serbe, duke cituar zyrtarë të lartë dhe analistë serbë, sipas të cilëve, nuk është kjo ajo që kishte kërkuar Serbia dhe që përmbanin kushtet e paraqitura prej saj që gjoja u morën parasysh në planin 6-pikësh të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, lidhur me misionin e EULEX-it në Kosovë. Dhe kjo po ndodh, shton kjo media, ndërsa EULEX-i ende nuk ka dalë në terren, ndërsa parashikohet që ky mision, në mënyrë operative, të nisë të veprojë në pranverë të vitit të ardhshëm.

"Siguria e përgjithshme e serbëve në Kosovë do të jetë e kërcënuar në këtë mënyrë, për më tepër nëse shërbimi policor i Kosovës do të jetë i varur dhe do të marrë urdhra direkt nga Prishtina dhe jo nga forcat ndërkombëtare, sikurse ka qenë deri tani", i vuri në dukje këto ditë gazetës së përditshme serbe "Gllas Javnosti" (Zëri i publikut) Nebojsha Joviç, kryetari i Këshillit Kombëtar Serb në Kosovë. Ai tha se "problem delikat është se mbi bazën e cilave ligjeve do të zhvillohen gjyqet, të atyre serbe apo të atyre që kanë shpallur institucionet e përkohshme në Prishtinë, që tregon se, të paktën, pika e gjashtë është fiasko. Edhe administratori civil i BE-së për Kosovën, Piter Feit, e tha hapur se ai nuk pyet për gjashtë pikat e planit të OKB-së, për të cilat luftoi pala serbe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe që i mbështeti edhe sekretari i përgjithshëm i saj, Ban Ki Mun. Deklarata të tilla nuk bëjnë gjë tjetër, veçse nxisin shqiptarët që të bëhen edhe më kërkues", vuri në dukje kryetari i Këshillit Kombëtar Serb, Nebojsha Joviç.

Edhe analisti i njohur serb, Milovan Drecun, është i të njëjtit mendim se UNMIK-u në Kosovë "po shuhet". "Në Kosovë do të mbesin gjithsej 30-50 unmikas dhe ata vetëm në përbërje të zyrës së ndërlidhjes. Të gjitha kompetencat kalojnë tek EULEX-i dhe të 3 000 policët e UNMIK-ut do ta mbarojnë definitivisht mandatin e tyre brenda muajit, kurse ata që do të mbesin, do të jenë të detyruar të mbajnë rroba civile, të gjitha makinat e UNMIK-ut do të futen në parking dhe prova më konkrete e të gjithë kësaj "shuarjeje" të UNMIK-ut është ulja e flamurit të OKB-së në pikë-kalimin serbo-kosovar në Jerinë, theksoi Drecuni.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›