E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lustrimi i frustruar i mazhorancës

Ka vetëm një gjë që ne shqiptarët, si kombi që vuajti diktaturën më të egër totalitare në Evropë, nuk mund të bëjmë nëse flasim për krimet që komunizmi ka kryer në Shqipëri: ne nuk mund të falim dhe të harrojmë! Kategorikisht dhe absolutisht dosjet duhet të hapen një orë e më parë! Duhet të ishin hapur dosjet e të ishin pastruar figurat qysh në 1992 kur Partia Demokratike kishte 92 vota në Kuvend; dhe sigurisht që duhet të ishin hapur dosjet e për të pastruar figurat në vitin 1996, kur Partia Demokratike dominonte Parlamentin me 122 vota.

Sidoqoftë, le të mos zgjatemi rreth arsyeve se përse procesi i lustrimit nuk është kryer më shpejt, pavarësisht se klasa politike ka pasur 18 vjet në dispozicion për ta nisur e bitisur këtë nevojë kombëtare. Por, ashtu siç është theksuar edhe nga Helga Welsh e të tjerë studiues me reputacion të fushës, sa më tepër kohë të kalojë prej ndërrimit të sistemit, aq më tepër trajtimi i së kaluarës komuniste bëhet një mjet për t‘u përdorur politikisht dhe i largohet qëllimit kryesor, që do të ishte idealisht qetësimi e pastrimi i ndërgjegjes kombëtare dhe individuale në lidhje me bashkëpunëtorët e komunizmit dhe riintegrimin e tyre në jetën social-politike të vendit.

Ndonëse shumë kohë ka kaluar, shumë dosje ndoshta janë vjedhur, djegur apo kanë humbur, shumë ish-bashkëpunëtorë të sistemit janë promovuar në jetën publike e politike të vendit, e shumë lojëra politike janë luajtur në kurriz të procesit të lustrimit, është imperative të pranohet se dosjet duhen hapur e ky proces duhet të mbarojë njëherë e mirë. Shembujt e Bullgarisë, Rumanisë, Çekosllovakisë, Hungarisë e Polonisë mjaftojnë që ky argument të jetë i pakundërshtueshëm. Pyetjet që çdo individ i interesuar shtron sot shkojnë përtej nevojës për të hapur apo mos hapur dosjet, sa kohë që kjo çështje duket se është e gjithëpranuar prej thuajse gjithkujt. Sot, me të drejtë pyesim vetëm se sa e gjerë do të jetë fusha e mbulimit të ligjit për pastrimin e figurës, kush do të konsiderohet "bashkëpunëtor", kush do të konsiderohet "xhelat" dhe "ekzekutor", si do dallojmë viktimat e Sigurimit të Shtetit dhe nomenklaturës komuniste nga ndihmësit apo drejtuesit e proceseve kriminale, e kështu me radhë. Logjikisht do të duhet të pranonim si aksiomë se, nëse procesi i lustrimit ndodh, atëherë duhet të jetë gjithëpërfshirës, i plotë, dhe tepër i rreptë.

Rikthehemi tek argumenti fillestar mbi instrumentalizimin dhe shfrytëzimin e procesit të lustrimit për qëllime politike. Mazhoranca e djathtë, në vazhdën e traditës së partive të djathta, në të gjitha vendet e ish-bllokut komunist, ka qenë gjithmonë në krye të iniciativave (të paktën nga ana retorike) për procesin e pastrimit të figurave dhe kjo është politikisht e kuptueshme dhe e justifikueshme. Edhe gjatë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme të korrikut 2005, Partia Demokratike dhe asokohe lideri i opozitës, premtuan përfundimin e procesit të lustrimit. Çuditshëm, tre vjet kaluan dhe, pavarësisht se çështja e dosjeve dilte në sipërfaqe sa herë që Kryeministri ndodhej përballë ndonjë krize (dhe "prokurorët-xhelatë" vazhdonin punën e suksesshme në luftën ndaj korrupsionit), asnjë iniciativë konkrete nuk u mor për ta finalizuar procesin e pastrimit të figurave.

Dhe pikërisht tani, vetëm gjashtë muaj nga zgjedhjet e përgjithshme, dhe ndërsa mazhoranca gjendet e frustruar nën hetim për mega-afera korruptive, që do t‘i shkatërronin imazhin e duarve të pastra dhe mund t‘i kushtonin zgjedhjet, ajo nxiton të kalojnë një ligj, i cili duket se në mënyrë selektive synon të ushtrojë presion mbi organin e Prokurorisë e sidomos mbi prokurorët të cilët po hetojnë mega-aferat e qeverisë. Për të evituar çdo lloj interpretimi që mund ta konsiderojë këtë artikull si apologji të njerëzve të cilët i kanë shërbyer sistemit komunist, qofshin këta edhe prokurorë çështjesh me spec për qeverinë, më duhet të ritheksoj se dosjet duhen hapur për këdo, pavarësisht investiturës publike që ata mbajnë.

Por fakti që mazhoranca po synon ta kalojë projektligjin rrëmbimthi, duke evituar konsensusin e opozitës, e duke targetuar specifikisht gjyqësorin e prokurorinë, ndërsa la jashtë ndikimit të këtij ligji shumë funksionarë të lartë të partisë së punës (?!?), e bën gjithë aferën të qelbet era manipulim politik. Kauza e pastërtisë së figurave i kalon kufijtë e interesave të mazhorancës aktuale dhe është në interes të të gjithë kombit e shoqërisë shqiptare, andaj dhe minimalizimi i saj thjesht dhe vetëm për të ushtruar presion mbi disa prokurorë (pavarësisht nëse kanë qenë hetues gjatë komunizmit dhe për këtë le të mbajnë përgjegjësi) është e turpshme dhe e patolerueshme.

Duke dashur të mbetem pozitiv ndaj vullnetit të pastër, të pakompleksuar, e aspak dashakeq të mazhorancës për të kryer procesin e lustrimit (se helbete edhe kështu mund të jetë), por njëkohësisht duke dashur të shuaj dhe kërshërinë e atyre që janë dyshues e skeptikë dhe mendojnë se ky ligj është vetëm një sulm ndaj disa prokurorëve, të cilët kanë shërbyer në këtë detyrë për 18 vjetët e fundit, jam dakord që projektligji të mbetet ashtu siç është, me një minindryshim; prokurorët e gjyqtarët që preken direkt prej dispozitave të ligjit të lejohen të përfundojnë hetimin dhe/ose gjykimin e çështjeve që kanë në duar, në mënyrë që edhe procedurat penale tanimë të nisura të mos mbeten pezull, apo më keq akoma, të mbyllen fare.

Ndërsa në vetvete kjo do të ishte një artificë ligjore nga ana procedurale dhe normative, e bërë në favor të kauzës së madhe të lustrimit dhe pastërtisë së figurës, ajo do të mundësonte legjitimimin e së gjithë përpjekjes dhe nxitimit nga ana e mazhorancës (e cila do të tregonte se sigurisht që nuk e ka hallin te çështjet nën hetim nga prokurorët në fjalë) dhe do t‘i mbyllte gojën përfundimisht opozitës (e cila do të duhej të mbështeste ligjin pa një pa dy, pasi do të humbiste argumentin kryesor kundër tij)! Në këtë mënyrë, procesi i lustrimit do të ishte i gjithëpranuar, gjithëpërfshirës e i pakontestuar, do të përmbushte aspiratat e pritshmëritë e të gjitha viktimave të diktaturës, dhe do të prehte në paqe ndërgjegjen kolektive të shqiptarëve. A do të ishte gati mazhoranca të na tregonte këtë lloj vullneti!? Kam frikë se jo!


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›